Solid Joys ShqipShembull

Lutja është për mëkatarët
“Zot, na mëso të lutemi.” (Luka 11:1)
Perëndia u përgjigjet lutjeve të mëkatarëve, jo të njerëzve të përsosur. Ti mund të paralizohesh plotësisht në lutjen tënde, nëse nuk përqendrohesh te kryqi dhe ta kuptosh këtë.
Mund të të tregoj nga shumë tekste të Dhiatës së Vjetër ku Perëndia dëgjon thirrjen e popullit të Tij mëkatar, mëkatet e të cilëve i kishin futur në telashe dhe për të cilat u përgjëruan që të çliroheshin (për shembull, Psalmi 38:4, 15; 40:12-13; 107:11-13). Megjithatë, më lejo së pari të ta tregoj nga Luka 11—në dy mënyra:
Në këtë version të Lutjes së Zotit (Luka 11:2-4), Jezusi thotë: “Kur të luteni, thoni…” dhe në vargun 4, ai përfshin këtë kërkesë: “dhe na i fal mëkatet tona”. Prandaj, nëse e lidh fillimin e lutjes me mesin e saj, ajo që ai thotë është: “Kur të luteni, thoni... na i fal mëkatet tona.”
Këtë unë e marr me kuptimin se kjo duhet të jetë po aq pjesë e lutjes time sa edhe, “U shenjtëroftë emri yt”. Që do të thotë se Jezusi supozon se ne kemi nevojë të kërkojmë falje pothuajse çdo herë që lutemi.
Me fjalë të tjera, ne gjithmonë jemi mëkatarë. Asgjë që bëjmë nuk është e përsosur. Sikurse tha edhe Martin Luther në shtratin e vdekjes: “Ne jemi lypsarë. Kjo është e vërtetë.” Edhe nëse kemi arritur ndonjë masë bindjeje para se të lutemi, ne gjithmonë vijmë te Zoti si mëkatarë—të gjithë ne. Perëndia nuk i refuzon lutjet e mëkatarëve kur ata luten kështu.
Vendi i dytë ku mund ta shohim këtë është te Luka 11:13: “Nëse ju, pra, që jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati në qiell do t’u japë Frymën e Shenjtë atyre që ia lypin.”
Jezusi i quan dishepujt e Tij “të ligj”. Kjo është një gjuhë tepër e ashpër. Ai nuk po thoshte se ata nuk kishin bashkësi me Të. Ai nuk po thoshte se lutjet e tyre s’mund të merrnin përgjigje.
Ai donte të thoshte se për sa kohë të zgjasë kjo epokë e rënë, edhe vetë dishepujt e Tij do të kenë një prirje të ligë, e cila e ndot gjithçka që ata bëjnë, por kjo nuk i pengon që të bëjnë shumë të mira teksa mbështeten në hirin dhe në fuqinë e Tij.
Ne jemi njëkohësisht të ligj dhe të shpenguar, dhe po e mposhtim gradualisht ligësinë tonë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Sidoqoftë, prishja jonë e natyrshme nuk zhduket në momentin e konvertimit.
Ne jemi mëkatarë dhe lypsarë. Nëse e dallojmë këtë mëkat, nëse heqim dorë prej tij, nëse e luftojmë dhe mbahemi fort pas kryqit të Krishtit si shpresa jonë, atëherë Perëndia do të na dëgjojë dhe do t’u përgjigjet lutjeve tona.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione