Solid Joys ShqipShembull

Ne jetojmë me anë të besimit
Por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua. (Galatasve 2:20)
Besimi është një përshtatje e përsosur me hirin e ardhshëm të Perëndisë. Ai korrespondon me lirinë dhe gjithëmjaftueshmërinë e hirit. Besimi vë në pah besueshmërinë e lavdishme të Perëndisë.
Një nga rrjedhojat e rëndësishme të këtij konkluzioni është që besimi, i cili drejtëson dhe besimi, i cili shenjtëron nuk janë dy lloje të ndryshme besimi. “Shenjtërim” thjesht do të thotë të bëhesh i shenjtë ose të transformohesh në ngjashmëri me Krishtin. Dhe kjo është e gjitha prej hirit.
Prandaj, kjo duhet të jetë gjithashtu edhe përmes besimit. Kjo sepse besimi është akti i shpirtit që lidhet me hirin, i cili e pranon atë dhe e kanalizon si fuqi bindjeje, dhe e ruan hirin që të mos hidhet poshtë nga mburrja njerëzore.
Pali e bën të qartë këtë lidhje midis besimit dhe shenjtërimit te Galatasve 2:20 (“E jetoj në besimin”). Shenjtërimi është me anë të Frymës dhe me anë të besimit. Kjo është një mënyrë tjetër për të thënë se shenjtërimi është me anë të hirit dhe nëpërmjet besimit. Fryma është “Fryma e hirit” (Hebrenjve 10:29). Mënyra se si Perëndia na bën të shenjtë është me anë të Frymës; por Fryma punon përmes besimit të ungjillit.
Arsyeja e thjeshtë pse besimi që drejtëson është gjithashtu besimi që shenjtëron është se edhe drejtësimi edhe shenjtërimi janë vepër e hirit sovran. Dhe është besimi që korrespondon me hirin. Drejtësimi dhe shenjtërimi nuk janë e njëjta lloj vepre (drejtësimi është llogaritja e drejtësisë; shenjtërimi është dhënia e drejtësisë), por këto janë që të dyja vepra të hirit. Shenjtërimi dhe drejtësimi janë “hir mbi hir” (Gjoni 1:16).
Rezultati njerëzor i hirit të lirë të Perëndisë është besimi. Nëse edhe drejtësimi edhe shenjtërimi janë vepra të hirit, është e natyrshme që të dyja të jenë me anë të besimit.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione