Solid Joys ShqipShembull

Të gjithë armiq me Perëndinë
Edhe ju, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të liga, tani ju pajtoi në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes. (Kolosianëve 1:21-22)
Lajmi më i mirë në botë është se largimi ynë nga Perëndia ka marrë fund dhe jemi pajtuar me Gjykatësin e gjithësisë. Perëndia nuk është më kundër nesh, por është për ne. Të pasurit e dashurisë së gjithëpushtetshme në anën tonë e forcon jashtëzakonisht shpirtin. Jeta bëhet krejtësisht e lirë dhe e guximshme kur qenia më e fortë në gjithësi është për ty.
Sidoqoftë, mesazhi i shpëtimit që Pali jep nuk është lajm i mirë për ata që e refuzojnë diagnozën e Kolosianëve 1:21. Ai thotë se ju “ishit të huaj dhe armiq në mendje”.
Sa njerëz njihni, të cilët thonë: “Pa hirin e Perëndisë, unë jam armiqësor kundër Tij në mendjen time”? Njerëzit rrallëherë thonë: “E urrej Perëndinë.” Prandaj, çfarë do të thotë Pali me fjalët që njerëzit janë “armiq në mendje” ndaj Perëndisë para se të pajtoheshin me anë të gjakut të Krishtit?
Mendoj se Pali do të thotë që ekziston vërtet një armiqësi ndaj Perëndisë së vërtetë, por njerëzit nuk e lejojnë veten e tyre të mendojnë për Perëndinë e vërtetë. Ata e imagjinojnë Perëndinë të jetë ashtu siç ata do të donin të ishte, gjë e cila rrallëherë përfshin ndonjë mundësi që ata mund të jenë vërtet në telashe serioze me Të.
Megjithatë, për sa i përket Perëndisë që ekziston me tëvërtetë—një Perëndi i cili është sovran mbi të gjitha gjërat, përfshirë këtu edhe sëmundjet dhe fatkeqësitë—Pali thotë se ne të gjithë ishim armiqësorë ndaj Tij. Thellë-thellë, ne e urrenim fuqinë dhe autoritetin e Tij absolut.
Fakti që dikush prej nesh shpëtohet, i atribuohet të vërtetës së mrekullueshme të vdekjes së Krishtit që siguroi hirin përmes të cilit Perëndia i pushtoi zemrat tona dhe na bëri ta donim Atë të cilin dikur e urrenim.
Shumë prej nesh jemi ende duke mësuar si të mos jemi armiqësorë ndaj Perëndisë. Është gjë e mirë që Ai është pafundësisht i duruar.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione