Solid Joys ShqipShembull

Qëllimi i Perëndisë për devijimet
Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë. (Kolosianëve 3:17)
A e ke vrarë ndonjëherë mendjen se çfarë po bën Perëndia ndërkohë që ti po kërkon në vendin e gabuar për diçka që e kishe humbur dhe të nevojitej shumë? Ai e di saktësisht se ku është, e megjithatë Ai po të lë të kërkosh në vendin e gabuar.
Një herë, më nevojitej një citat për një botim të ri të librit tim Desiring God. E dija që e kisha lexuar në shkrimet e Richard Wurmbrand dhe mendoja se ishte në librin e tij devocional Reaching Toward the Heights. Pothuajse e kisha para syve në një nga faqet djathtas të librit, por nuk mund ta gjeja dot.
Gjithsesi, teksa po e kërkoja, u mbërtheva nga devocioni i tij i datës 30 nëntor. Teksa e lexoja, thashë: “Kjo është arsyeja pse Zoti më la të vazhdoja kërkimin në vendin ‘e gabuar’, për citatin që më duhej.” Aty ishte një histori, e cila ilustronte në mënyrë të përsosur faktin që asgjë nuk çohet dëm kur e bëjmë në emrin e Jezusit—asgjë, madje as edhe kërkimi për një citat në vendin e gabuar. Ja se çfarë lexova:
Katerina ishte rritur për njëzetë vite në një shtëpi për fëmijët me zhvillim të vonuar. Kjo vajzë kishte pasur [mangësi mendore] që nga fillimi dhe nuk kishte shqiptuar kurrë qoftë edhe një fjalë, por thjesht rrinte në një vend. Ajo ose ua ngulte sytë mureve me qetësi ose bënte lëvizje të pakoordinuara. E gjithë jeta e saj përbëhej vetëm nga të ushqyerit, të pirët dhe gjumi. Ajo dukej se nuk merrte fare pjesë në gjërat që ndodhnin përreth saj. Një nga këmbët e saj duhej të pritej. Stafi i uroi Katit që të dilte sa më mirë dhe shpresuan që Zoti do ta merrte së shpejti pranë vetes së Tij.
Një ditë, doktori e thirri drejtorin e shtëpisë së fëmijëve që të vinte shpejt. Katerina ishte duke vdekur. Kur të dy ata hynë në dhomën e saj nuk mund t’u besonin dot veshëve dhe syve të tyre. Katerina po këndonte himne të krishtera, të cilat i kishte dëgjuar, dhe kishte mësuar vetëm ato himne që ishin shumë të përshtatshme për t’i kënduar në shtratin e vdekjes. Ajo përsëriste herë pas here këngën gjermane: “Ku e gjen shpirti atdheun dhe prehjen e tij?” Këndoi për gjysmë ore me një fytyrë të transformuar dhe pastaj u nda nga kjo jetë qetësisht. (Shkëputur nga The Best Is Still to Come, Wuppertal: Sonne und Shild)
A shkon vërtet dëm ndonjë gjë që është bërë në emër të Krishtit?
Kërkimi im zhgënjyes dhe i kotë për atë që mendoja se kisha nevojë, nuk shkoi dëm. Të kënduarit e kësaj fëmije të paaftë nuk shkoi dëm. As agonia dhe devijimi yt i paplanifikuar nuk shkojnë dëm—jo nëse sheh drejt Zotit për punën e Tij të papritur dhe bën gjithçka në emër të Tij (Kolosianëve 3:17).
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione