YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 23 OF 57

Ester 3:12-15

Ditën e trembëdhjetë të muajit të parë u thirrën sekretarët e mbretit dhe u përpilua një dekret, në bazë të të gjitha gjërave që kishte urdhëruar Hamani, për t’ua dërguar satrapëve të mbretit, qeveritarëve të çdo krahine dhe krerëve të çdo populli, çdo krahine sipas shkrimit të vet dhe çdo populli sipas gjuhës së vet. Dekreti u përpilua në emër të mbretit Asuero dhe u vulos me vulën e mbretit.

Këto dokumente u dërguan me anë korrierësh në të gjitha krahinat e mbretit, me qëllim që të shkatërroheshin, të vriteshin dhe të shfaroseshin tërë judenjtë, të rinj dhe pleq, fëmijë dhe gra, në një ditë të vetme, më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i adarit, dhe të plaçkiteshin pasuritë e tyre.

Një kopje e dekretit duhet të nxirrej si ligj në çdo krahinë dhe të shpallej për të gjithë popujt, me qëllim që të ishin gati për atë ditë.

Korrierët u nisën me të shpejtë sipas urdhrit të mbretit, dhe dekreti u shpall në qytetin e Suzas. Mbreti dhe Hamani ishin ulur dhe pinin, por qyteti i Suzas ishte i tmerruar.

Tallje djallëzore

Edhe njëmbëdhjetë muaj … sa kohë e gjatë për të pritur! Mbase Hamani nuk ishte i gëzuar për këtë gjë, por ai mendoi që më mirë t’i bindej këshillës së priftit, përndryshe perëndia perse mund të mos e ndihmonte. Njëmbëdhjetë muaj do t’i jepnin gjithashtu kohë të mjaftueshme për ta çuar mesazhin përgjatë gjithë perandorisë.

Ndërsa tmerret mbushën zemrat e etërve dhe nënave judease, mbreti dhe Hamani ishin duke u kënaqur. A mund ta imagjinoni Hamanin të ulur me mbretin duke pirë së bashku? Pothuajse mund ta shikoni një buzëqeshje djallëzore në fytyrën e tij, ndërsa mendonte për vuajtjet dhe vdekjen me të cilat do t’i torturonte judenjtë.

T’i torturosh të tjerët është një gjë mizore, por ta shijosh torturimin e të tjerëve është djallëzore! Prapëseprapë, njerëzit ua bëjnë këtë kafshëve, madje edhe njerëzve të tjerë. Mbase ju nuk keni torturuar asnjëherë një kafshë dhe aq më pak një njeri, e kjo është një gjë e mirë. Por a e kuptoni që tortura ka “kushërinj të afërt” që shpesh jetojnë në shtëpinë apo klasën tonë? Një prej tyre quhet “Zotëri Tallësi” dhe tjetri “Zotëri Ngacmuesi”. A ju pëlqen ta bëni dikë që të ndihet keq? A gjeni kënaqësi kur e vini dikë qëllimisht në lojë ose kur i bëni të tjerët të ndihen keq? Sipas mësimeve të Jezusit, nëse i bëni këto gjëra, ju nuk jeni ndryshe nga Hamani apo mbreti.

Po pse njerëzit i tallin apo i bëjnë të tjerët të ndihen keq? Shpesh fëmijët apo të rriturit që veprojnë në këtë mënyrë, ndihen të pasigurt ose të frikësuar brenda tyre. Kur dikush vihet në pozitë të vështirë, ata që e shkaktojnë këtë, përjetojnë një “ndjesi fitoreje”. A mendoni me të vërtetë që është një fitore kur një elefant shtyp një mi? A po tregoni sa të fortë jeni kur shtypni një karkalec të vogël? E njëjta gjë është kur vini në lojë ose ngacmoni dikë në një moshë më të vogël apo më i dobët nga ju.

Day 22Day 24

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More