YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 19 OF 57

Ester 3:2b-6

Por Mardokeu as përkulej, as binte përmbys.

Atëherë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e tij i thanë Mardokeut: «Pse e shkel urdhrin e mbretit?».

Por, megjithëse ia përsërisnin çdo ditë këtë urdhër, ai nuk i dëgjonte; prandaj ata ia njoftuan këtë gjë Hamanit, për të parë nëse Mardokeu do të ngulte këmbë në qëndrimin e tij. Ai në fakt u kishte thënë atyre se ishte jude.

Kur Hamani pa që Mardokeu nuk përkulej, as binte përmbys para tij, u zemërua shumë;

por nuk denjoi të shtrijë dorën e tij vetëm kundër Mardokeut, sepse e kishin njoftuar cilit popull i përkiste Mardokeu; kështu Hamani vendosi të shkatërrojë tërë judenjtë, popullin e Mardokeut, që gjendeshin në tërë mbretërinë e Asueros.

Të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat

Nuk është shumë e qartë se përse Mardokeu nuk u përkul para Hamanit ndërsa ai kalonte. Nëse jetoni në një kulturë perëndimore, të përkulesh ndaj të tjerëve duket gjë e çuditshme; ne i përkulemi vetëm Perëndisë kur i lutemi Atij. Por në shumë kultura të tjera, duke përfshirë kulturën judaike të asaj kohe, përkulja ndaj dikujt ishte një shenjë e duhur dhe e pranueshme shfaqjeje respekti. Në Bibël lexojmë që Abrahami “u përul para popullit të vendit, para bijve të Hethit” (Zan. 23:7). Jakobi u përkul shtatë herë përpara vëllait të tij, Esaut (Zan. 33:3). Jozefi u përul me fytyrën në tokë përpara atit të tij, Jakobit (Zan. 48:12). Sigurisht, këta njerëz të perëndishëm nuk po e adhuronin njeriun para të cilit përkuleshin dhe as nuk ishin duke e thyer urdhërimin e Perëndisë duke treguar respekt në këtë mënyrë.

Në fakt, Perëndia na urdhëron të tregojmë respekt ndaj njerëzve në autoritet (Eks. 20:12). Kur mbreti ose mbretëresha hyn në dhomë, ne të gjithë ngrihemi. Bëjmë të njëjtën gjë kur gjykatësi hyn në dhomën e gjyqit. Mbase ju kanë mësuar që kur përshëndetni një njeri, duhet të ngriheni dhe t’i shtrëngoni dorën. Çdo kulturë ka mënyrën e vet për të treguar respekt ndaj më të moshuarve dhe atyre që janë në pozitë më të lartë. Prandaj, Mardokeu nuk veproi me urtësi kur refuzoi t’i tregonte Hamanit respektin e duhur për pozicionin që ai kishte marrë.

Zoti Jezus na mëson të bëhemi “të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat” (Mt. 10:16). Në atë mësim, Zoti u foli dishepujve të Tij për rreziqet me të cilat do të përballeshin si predikues. Ai i krahasoi ata me dele që po përballeshin më një tufë ujqërish. Gjëja e fundit që një dele dëshiron është të tërheqë vëmendjen e sulmuesve të vet, sepse ajo nuk do të mund të krahasohet me fuqinë e tyre.

Në të njëjtën mënyrë, Jezusi na mëson që si të krishterë, duhet të jemi të matur. Nuk është gjë e mençur që të zemërojmë botën në mënyrë të panevojshme ose ta fyejmë atë; bërja e kësaj gjëje dëmton vetëm çështjen e Mbretërisë së Perëndisë. Nëse Mardokeu do t’i kishte shfaqur Hamanit respektin e duhur, sa ndryshe mund të kishte reaguar ai.

Le të mësojmë nga kjo gjë. Shumë njerëz në vendet tona nuk i pëlqejnë të krishterët, kjo për të gjitha arsyet e gabuara. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i ushqejmë këto sjellje me anë të veprimeve tona të gabuara, sepse atëherë “po i hedhim benzinë zjarrit” për ndjenjat e tyre të gabuara rreth Perëndisë dhe krishterimit.

Day 18Day 20

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More