YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 18 OF 57

Ester 3:1-2

Pas këtyre ngjarjeve, mbreti Asuero e gradoi Hamanin, birin e Hamedathas, agagitit, e ngriti në rang dhe e vuri karrigen e tij mbi atë të të gjithë princave që ishin me të.

Tërë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e mbretit përkuleshin dhe binin përmbys para Hamanit, sepse kështu kishte urdhëruar mbreti për të. Por Mardokeu as përkulej, as binte përmbys.

Mëritë

Krejt papritur një emër tjetër i shtohet kësaj historie, ai ishte Haman agagiti. Në librin e Esterit ai quhet katër herë “armiku i judenjve” (3:10; 8:1; 9:10, 24). Pse ishte ai armik i judenjve? A ishte kështu përpara se të bëhej shërbëtori i parapëlqyer i mbretit apo u bë i tillë pasi u ngrit në detyrë? Disa sugjerojnë që Hamani ishte një stërnip i largët i mbretit Agag, i cili jetoi rreth gjashtëqind vite përpara Esterit. Perëndia e urdhëroi mbretin Saul që të ndëshkonte Agagun dhe kombin e tij, amalekitët, sepse ata i zunë pritë Izraelit me burracakëri, në rrugëtimin e tyre nga Egjipti.

Nuk mund të jemi të sigurt nëse Hamani ishte i lidhur me mbretin Agag, por nëse ishte kështu, atëherë mund të kemi një ide për urrejtjen e tij ndaj judenjve. Ai do t’i urrente për atë që u kishin bërë qindra vite më parë paraardhësve të tij! Mëria e thellë që ai mbante në zemër kundër judenjve bëri që ai të hidhej menjëherë, për të kapur mundësinë për t’u hakmarrë.

Mëria në zemrën tuaj është një qëndrim i keq ose një ndjenjë e hidhur kundër një personi apo grupi personash. Mëritë shpesh fillojnë kur dikush ju ka lënduar në një mënyrë apo në një tjetër. Nëse e mbani zemërimin tuaj dhe ndjenjat e lënduara ose e mendoni sërish e sërish gabimin që është bërë ndaj jush, jeni duke ushqyer mëri. Fatkeqësisht, disa mëri janë të trashëguara nga (stërgjyshërit) prindërit. Mbase Hamani u rrit duke dëgjuar që “judenjtë janë njerëzit më të ligj në botë! Meritojnë të vriten!”. Nëse rriteni duke dëgjuar opinione keqdashëse për të tjerët, ka mundësi që ju t’i urreni ata; jo për ndonjë arsye tjetër, por për shkak të faktit që ata urrehen nga prindërit tuaj.

Fatkeqësisht, këtë gjë e shohim shpesh sot në botë. Shumë fëmijë që janë të dhunshëm ose përbuzës ndaj grupeve të tjera të njerëzve, janë thjesht duke kopjuar prindërit e tyre. Ata mësohen të urrejnë në vend që të duan! Si mund ta dini nëse ju po mbani mëri? Kjo mund të zbulohet duke i dëgjuar mendimet tuaja. A mendoni: “Mbase një ditë do t’ia kthej atij. Nuk do të më vinte keq nëse ajo do të hynte në telashe. T’i bëhet mirë që ngeli në provim.”? Mendime të tilla zbulojnë mëri të thella. Duhet të bëni çdo gjë që t’i hiqni qafe mëritë. Mëria është si një vullkan që zien, i gatshëm për të shpërthyer.

Si mund të çliroheni nga mëritë? Së pari, pyeteni veten: “Çfarë ka bërë në të vërtetë ai/ajo ndaj meje?”. Shpesh zbuloni që në të vërtetë nuk ishte aq keq sa e imagjinuat në fillim, ose zbuloni që dikush tjetër ka qenë duke pëshpëritur në veshin tuaj histori në lidhje me ata, të cilat mbase nuk janë të mira, madje as të vërteta.

Gjëja e dytë që duhet të bëni është “operacioni”! Problemi duhet të hiqet. Nëse është e mundur, shkoni të flisni me personin ndaj të cilit mbani mëri. Flisni për problemin tuaj dhe përpiquni ta zgjidhni duke e falur njëri-tjetrin.

Gjëja e fundit që duhet bërë është “rehabilitimi”. Mos vazhdoni ta shmangni njëri-tjetrin. Shfaqni mirësi dhe diskutojini gjërat.

Çfarë ndodh nëse kjo gjë dështon? Atëherë mund ta dorëzoni këtë problem te Perëndia, ndërsa keni bërë çdo gjë të mundur për ta zgjidhur. Ndërsa Jezusi ishte në tokë, Ai ia parashtroi disa gjëra Atit të Tij në lutje, por Ai kurrë nuk mbajti mëri!

Day 17Day 19

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More