YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 293 OF 366


Lumturia më e madhe e dashurisë

Sepse askush nuk e urreu kurrë mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me ngrohtësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij. (Efesianëve 5:29-30)

Kujdes mos të të shpëtojë fraza e fundit: “sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij.” Gjithashtu mos harro atë që Pali tha dy vargje më herët, pra, që Krishti e dha veten e Tij për ne “që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme”. Prandaj Pali e bën të qartë se Krishti e kërkoi gëzimin e Tij në ndjekjen e shenjtërisë, bukurisë dhe lumturisë së popullit të Tij në dy mënyra të ndryshme.

Bashkimi mes Krishtit dhe nuses së Tij është aq i ngushtë (“një mish”), saqë çdo e mirë që i bëhet asaj është një e mirë që i bëhet Atij. Që do të thotë se mesazhi i qartë i këtij teksti është që Zoti motivohet për ta ushqyer, për t’u kujdesur, për ta shenjtëruar dhe për ta pastruar nusen e tij, sepse në këtë gjë ai gjen gëzim.

Sipas disa përkufizimeve, kjo nuk mund të jetë dashuri. Dashuria, thonë ata, duhet të jetë e lirë nga çdo interes për veten–sidomos dashuria si ajo e Krishtit, dashuria e Kalvarit. Nuk kam parë kurrë që një pikëpamje e tillë për dashurinë të pajtohet me këtë pasazh të Shkrimit.

Megjithatë, atë që Krishti bën për nusen e Tij, ky tekst e quan hapur dashuri: “Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën…” (Efesianëve 5:25). Përse të mos e lejojmë tekstin që ta përkufizojë dashurinë për ne, në vend që të sjellim përkufizimin tonë nga etika ose filozofia? Sipas këtij teksti, dashuria është kërkimi i gëzimit të Krishtit në gëzimin e shenjtë të së dashurës së Tij, kishës.

Nuk ka asnjë mënyrë për ta përjashtuar interesin vetjak nga dashuria, sepse interesi për veten nuk është i njëjtë me egoizmin. Egoizmi kërkon lumturinë e vet personale në kurriz të të tjerëve.

Dashuria si e Krishtit e kërkon lumturinë e saj lumturinë e të tjerëve–jo në kurriz të tyre. Ajo madje vuan dhe vdes për të dashurën, në mënyrë që gëzimi i saj të bëhet i plotë në jetën dhe pastërtinë e së dashurës.

Kështu na deshi Krishti dhe na bën njësoj thirrje ta duam njëri-tjetrin.