YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 151 OF 366

Diçka për t’u mburrur

Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret. (Efesianëve 2:8-9)

Dhiata e Re e lidh besimin dhe hirin për t’u siguruar që ne të mos mburremi në atë që e arrin vetëm hiri.

Një nga shembujt më të njohur është Efesianëve 2:8. Me anë të hirit, nëpërmjet besimit. Kjo është lidhja që e ruan lirinë e hirit. Me anë të hirit, nëpërmjet besimit.

Besimi është një akt i shpirtit tonë që largohet nga pamjaftueshmëria jonë dhe kthehet drejt burimeve të gjithëmjaftueshme të Perëndisë. Besimi përqendrohet në lirinë e Perëndisë për t’u dhënë hir të padenjëve. Besimi mbështetet në bujarinë e Perëndisë.

Prandaj besimi, nga vetë natyra e tij, e anulon mburrjen dhe përputhet me hirin. Kudo që sheh besimi, ai sheh hir pas çdo veprimi të lavdërueshëm. Ndaj, ai nuk mund të mburret në gjë tjetër përveçse në Zotin, autorin e hirit.

Pra, pasi ka thënë që shpëtimi është me anë të hirit, nëpërmjet besimit, Pali thotë: “Dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret" (Efesianëve 2:8-9). Besimi nuk mund të mburret në mirësinë, kompetencën, ose urtësinë njerëzore, për shkak se besimi përqendrohet në hirin e lirë dhe gjithësigurues të Perëndisë. Çfarëdo mirësie që sheh besimi, e sheh atë si frytin e hirit.

Kur besimi sheh Krishtin Jezus, “i cili u bë për ne urtësi prej Perëndisë, drejtësi edhe shenjtërim dhe shpengim,” thotë: “Ai që mburret, le të mburret ne Zotin” (1 e Korintasve 1:30-31).