YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 153 OF 366

Besimi që madhëron hirin

Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë. (Galatasve 2:21)

Kur isha i vogël u fundosa nga një rrymë në plazh dhe m’u duk sikur do të më tërhiqte sa hap e mbyll sytë në mes të oqeanit.

Ishte vërtet e tmerrshme. U përpoqa të orientohesha dhe të kuptoja se cili ishte drejtimi për lart, por këmbët nuk më preknin tokë dhe rryma ishte tepër e fortë për të notuar. Gjithsesi nuk isha një notar i mirë.

Në mes të panikut tim, mendova vetëm për një gjë: A mund të më ndihmonte ndokush? Por as që kisha mundësi të thërrisja duke qenë se isha i zhytur nën ujë.

Kur ndjeva dorën e babait që më kapi nga krahu me një shtrëngim të fuqishëm, përjetova ndjenjën më të ëmbël në gjithë botën. Iu dorëzova krejtësisht të qenët i pushtuar nga fuqia e tij. U gëzova që vullneti i tij po më ngrinte lart. Nuk rezistova.

As që nuk më shkonte në mendje që duhej të përpiqesha të tregoja se gjërat nuk ishin dhe aq keq: apo që duhej t’i shtoja forcën time krahut të babait. Gjithë sa po mendoja ishte: Po! Kam nevojë për ty! Të falënderoj! E dua fuqinë tënde! E dua iniciativën tënde! E dua shtrëngimin tënd! Ti je madhështor!

Nuk mund të mburresh në frymën e ndjenjës së dorëzimit. Këtë ndjenjë dorëzimi, unë e quaj “besim”. Babai im ishte mishërimi i hirit të ardhshëm të Perëndisë për të cilin kisha nevojë dëshpërimisht dhe e dëshiroja aq fort kur isha nën ujë. Ky është besimi që e madhëron hirin.

Ndërsa meditojmë se si ta jetojmë jetën e krishterë, mendimi sublim duhet të jetë: Si mund ta madhëroj hirin e Perëndisë në vend që ta hedh atë poshtë? Pali i përgjigjet kësaj pyetjeje te Galatasve 2:20-21: “U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua; por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua. Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë.”

Pse jeta e tij nuk e hodhi poshtë hirin e Perëndisë? Për shkak se ai jeton me anë të besimit në Birin e Perëndisë. Besimi e tërheq gjithë vëmendjen te hiri dhe e lartëson atë, në vend që ta hedhë poshtë.