YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 154 OF 366

Cilët janë bijtë e Abrahamit?

“Te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës.” (Zanafilla 12:3)

Ju që shpresoni në Krishtin dhe e ndiqni Atë me bindjen e besimit, jeni pasardhës të Abrahamit dhe trashëgimtarë të premtimeve të besëlidhjes së Perëndisë me të.

Te Zanafilla 17:4, Perëndia i tha Abrahamit: “Sa për mua, ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh.” Por Zanafilla e bën të qartë që Abrahami nuk u bë ati i një shumice kombesh në kuptimin fizik ose politik. Prandaj, kuptimi i premtimit të Perëndisë ndoshta ishte që një shumicë kombesh, në një farë mënyre, do të shijonin bekimet e birërisë edhe pse fizikisht nuk kishin lidhje me Abrahamin.

Kjo është pa dyshim se çfarë donte të thoshte Perëndia te Zanafilla 12:3 kur i tha Abrahamit: “Te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës”. Që nga fillimi, Perëndia kishte në mendje faktin që Jezu Krishti do të ishte pasardhësi i Abrahamit dhe se kushdo që beson në Krishtin do të bëhej trashëgimtar i premtimit të dhënë Abrahamit. Pali thotë te Galatasve 3:29: “Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.”

Prandaj, kur Perëndia i tha Abrahamit para 4000 vjetësh: “Ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh.” Ai e hapi udhën për cilindo prej nesh, pavarësisht se cilit kombi i përkasim, që të bëhemi bij të Abrahamit dhe trashëgimtarë të premtimeve të Perëndisë. Gjithçka që duhet të bëjmë është të kemi besimin e Abrahamit—domethënë, ta mbështesim shpresën tonë në premtimet e Perëndisë, aq sa, nëse e kërkon bindja, të mund të heqim dorë nga pasuria jonë më e çmuar, ashtu sikurse Abrahami e dorëzoi Isakun.

Ne nuk bëhemi trashëgimtarë të premtimeve të Abrahamit duke punuar për Perëndinë, por duke qenë të sigurt se Perëndia punon për ne. “[Abrahami] u forcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte” (Romakëve 4:20-21). Kjo është arsyeja pse Abrahami mund t’i bindej Perëndisë edhe atëherë kur bindja dukej si një udhë pa krye. Ai i besoi Perëndisë që të bënte të pamundurën—që Ai ta ringjallte birin e tij prej së vdekurish.

Besimi në premtimet e Perëndisë—ose sot do të thoshim, besimi në Krishtin, i cili është konfirmimi i premtimeve të Perëndisë—është mënyra se si mund të behesh fëmijë i Abrahamit; bindja është prova që besimi është i vërtetë. (Zanafilla 22:12-19). Prandaj, Jezusi thotë te Gjoni 8:39: “Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit.”

Bijtë e Abrahamit janë njerëz nga të gjitha kombet, të cilët e vendosin shpresën e tyre në Krishtin, sikurse Abrahami në Malin Moriah, dhe për pasojë nuk lejojnë që humbja e zotërimit të tyre më të çmuar tokësor t’i pengojë në bindjen e tyre.

Ju që shpresoni në Jezu Krishtin dhe e ndiqni Atë në bindjen e besimit jeni pasardhës të Abrahamit dhe trashëgimtarë të premtimeve të besëlidhjes së Perëndisë me të.

Scripture