Solid Joys ShqipShembull

Shpresa e madhe misionare
Ndonëse ne ishim të vdekur nëpërmjet shkeljeve, [Perëndia] na dha jetë bashkë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit). (Efesianëve 2:5)
Shpresa e madhe misionare është se, kur ungjilli predikohet në fuqinë e Frymës së Shenjtë, vetë Perëndia bën atë që njeriu nuk mund ta bëjë dot: Ai krijon besimin që shpëton. Thirrja e Perëndisë bën atë që thirrja e njeriut nuk mund ta bëjë dot. Ajo ringjall të vdekurit. Ajo krijon jetë frymërore. Ajo është si thirrja e Jezusit drejtuar Llazarit në varr: “Dil jashtë!” Dhe i vdekuri u bind dhe doli jashtë. Thirrja krijoi bindjen duke krijuar jetë (Gjoni 11:43). Kështu shpëtohet çdo njeri.
Ne mund ta zgjojmë dikë nga gjumi me thirrjen tonë, por thirrja e Perëndisë mund të sjellë në ekzistencë gjëra që nuk janë (Romakëve 4:17). Thirrja e Perëndisë është e parezistueshme në atë kuptim që ajo mund të mposhtë çdo rezistencë. Ajo thirrje është pagabueshmërisht e efektshme sipas qëllimit të Perëndisë–aq sa Pali mund të thotë: “Ata që ai i thirri, ata edhe i drejtësoi” (Romakëve 8:30), edhe pse ne drejtësohemi vetëm me anë të besimit tonë.
Me fjalë të tjera, thirrja e Perëndisë është aq e efektshme, saqë në mënyrë të pagabueshme krijon besimin, përmes të cilit personi drejtësohet. Të gjithë të thirrurit janë drejtësuar sipas Romakëve 8:30. Por askush nuk drejtësohet pa besim (Romakëve 5:1). Prandaj, thirrja e Perëndisë nuk mund të dështojë në efektin e saj të synuar. Në mënyrë të parezistueshme ajo sjell në ekzistencë besimin që drejtëson.
Kjo është ajo që njeriu nuk mund ta bëjë dot. Është krejtësisht e pamundur. Vetëm Perëndia mund ta heqë zemrën prej guri (Ezekieli 36:26). Vetëm Perëndia mund t’i tërheqë njerëzit te Biri (Gjoni 6:44, 65). Vetëm Perëndia mund ta hapë zemrën e vdekur frymërisht që t’i kushtojë vëmendje ungjillit (Veprat 16:14). Vetëm Bariu i Mirë i njeh delet e Tij, i thërret ato me emër me një fuqi kaq bindëse, saqë ato e ndjekin–dhe nuk humbasin kurrë (Gjoni 10:3-4, 14).
Hiri sovran i Perëndisë, i cili bën atë që është e pamundur nga ana njerëzore, përmes ungjillit të Jezu Krishtit, është shpresa e madhe misionare.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione