Solid Joys ShqipShembull

Zbulimi më çlirues nga të gjithë
Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin. (Filipianëve 3:1)
Askush nuk më mësoi ndonjëherë që Perëndia përlëvdohet nga gëzimi ynë në Të–ai gëzim është pikërisht ai që e bën lavdërimin tonë të jetë nder për Perëndinë dhe jo hipokrizi.
Por Jonathan Edwards e tha me shumë qartësi dhe forcë:
Perëndia e përlëvdon veten ndaj krijesës edhe në dy mënyra: (1) duke iu shfaqur... kuptimit të tyre; (2) duke ua komunikuar veten e tij zemrave të tyre dhe në faktin që ata gëzojnë, kënaqen dhe i shijojnë manifestimet, që ai i bën vetes… Perëndia përlëvdohet jo vetëm kur lavdia e tij bëhet e dukshme, por edhe kur njerëzit ngazëllojnë në të...
Kur ata që e shohin lavdinë e tij, gjejnë kënaqësi në atë lavdi: Perëndia përlëvdohet më tepër se në rastin kur ata thjesht e shohin atë... Ai që dëshmon se e pranon idenë e lavdisë e Perëndisë, [nuk] e përlëvdon atë aq shumë sa ai që dëshmon edhe miratimin e asaj lavdie, edhe kënaqësinë e tij në atë lavdi.
Ky ishte një zbulim i jashtëzakonshëm për mua. Unë duhet ta kërkoj gëzimin tim në Perëndinë nëse do ta përlëvdoj Atë si Realitetin e vlefshëm në gjithësi, që i tejkalon gjithë të tjerët. Gëzimi nuk është thjesht një opsion përkrah adhurimit. Ai është një përbërës thelbësor i adhurimit. Në fakt, ai është vetë thelbi i adhurimit–të ngazëllosh në lavditë e Perëndisë.
Ne përdorim një emër për ata që shpallin lëvdimet e Perëndisë pa ndier kënaqësi në atë që lavdërojnë. Njerëz të tillë i quajmë hipokritë. Jezusi tha: “Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha: ‘Ky popull më afrohet me gojën e tij dhe më nderon me buzë; por zemra e tyre është larg meje’” (Mateu 15:7-8). Fakti që lavdërimi i vërtetë do të thotë kënaqësi totale dhe që synimi më i lartë i njeriut është ta shuajë etjen duke pirë nga kjo kënaqësi për lavdinë e Perëndisë, ka gjasa të ketë qenë zbulimi më çlirues që kam bërë ndonjëherë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione