Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 279 NGA 366


Drejtësia do të vihet në vend

Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë do të shpaguaj, thotë Zoti.” (Romakëve 12:19)

Të gjithëve na është bërë padrejtësi në ndonjë rast. Ndoshta shumica prej jush ka përjetuar një padrejtësi të madhe nga dikush që kurrë nuk ju kërkoi falje ose nuk bëri mjaftueshëm për t’i rregulluar gjërat.

Një nga gjërat që ju pengon më shumë për ta lënë mënjanë lëndimin dhe hidhërimin është bindja, bindja e justifikuar, që duhet bërë drejtësi, që pëlhura morale e gjithësisë do të shthuret nëse njerëzit thjesht ia hedhin pa u lagur duke bërë padrejtësi të tmerrshme dhe duke i mashtruar të gjithë.

Kjo është një nga gjërat që na pengon të falim dhe të lëmë mënjanë mëritë. Kjo nuk është e vetmja pengesë. Ne duhet të merremi edhe me mëkatin tonë. Kjo është një pengesë e vërtetë.

Ndihemi sikur, nëse thjesht i kalojmë gjërat, kjo do të thotë se e pranojmë që drejtësia nuk do të vendoset në vend. Ndaj nuk e lëmë dot të shkojë.

Prandaj kapemi pas zemërimit dhe i përsërisim ngjarjet ose fjalët herë pas here bashkë me ndjenjat: Nuk duhet të kishte ndodhur; nuk duhet të kishte ndodhur; ishte e gabuar; ishte e gabuar. Si ka mundësi që ai (ose ajo) të jenë kaq të lumtur kur unë ndihem kaq keq? Është shumë e gabuar. Është shumë e gabuar! Nuk e lëmë dot këtë. Kështu hidhërimi ynë fillon të helmojë gjithçka.

Fjala te Romakëve 12:19 na është dhënë nga Perëndia për ta hequr atë barrë nga supet tona.

“Mos u hakmerrni për veten tuaj, …por i jepni vend zemërimit të Perëndisë.” Çfarë do të thotë kjo për ty?

Ta ulësh poshtë barrën e zemërimit, ta braktisësh zakonin e ushqyerjes së lëndimit tënd me ndjenjat e padrejtësisë që të është bërë–ta lësh mënjanë–nuk do të thotë se nuk të është bërë ndonjë padrejtësi e madhe. Në fakt, po.

Por gjithashtu kjo nuk do të thotë se nuk ka drejtësi. Nuk do të thotë se nuk do të të jepet e drejta. Nuk do të thotë se ata shpëtuan pa u lagur. Jo, nuk kanë shpëtuar.

Kjo do të thotë se: kur ti e ul poshtë barrën e hakmarrjes, Perëndia do ta marrë atë barrë.

Kjo nuk është një mënyrë e maskuar për të marrë hak. Kjo është rruga për t’ia lënë hakmarrjen Atij që i përket. Hakmarrja më përket mua, thotë Zoti. Ti e ul poshtë. Unë e marr. Drejtësia do të vihet në vend.

Çfarë lehtësimi i lavdishëm! Nuk kam pse ta mbart këtë barrë. Kjo është si të marrësh frymë thellë, ndoshta për herë të parë pas disa dekadash, dhe të ndihesh sikur më në fund mund të jesh i lirë për të dashur.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​