Solid Joys ShqipShembull

Gëzim i pakufishëm
“Dhe i bëra të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin, që dashuria, me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta dhe unë në ta.” (Gjoni 17:26)
Kjo ishte lutja e Jezusit një natë para se të vdiste. Përfytyro që të jesh në gjendje të shijosh përjetë atë që është më e kënaqshme me një energji dhe pasion të pakufishëm. Tani nuk po e përjetojmë këtë. Ka tri pengesa për kënaqësinë tonë të plotë në këtë botë.
Njëra është se asgjë në këtë botë të krijuar nuk ka një vlerë personale aq të madhe sa të përmbushë dëshirat më të thella të zemrave tona.
Pengesa e dytë është mungesa e forcës për të shijuar thesaret më të mira në vlerën e tyre maksimale.
Dhe pengesa e tretë që qëndron në rrugën e kënaqësisë së plotë është që këtu gëzimeve tona u vjen fundi. Asgjë nuk zgjat. Por nëse synimi dhe lutja e Jezusit te Gjoni 17:26 bëhen realitet, e gjithë kjo do të ndryshojë. Ai u lut: “që dashuria, me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta dhe unë në ta.” Kjo është dashuria pafundësisht e kënaqshme e Perëndisë për Birin e Tij në ne!
Nëse ne kënaqemi në Birin ashtu si Perëndia kënaqet në Birin, atëherë objekti i kënaqësisë sonë, Jezusi, do të jetë i pashtershëm në vlerën e tij personale. Ai nuk do të bëhet kurrë i mërzitshëm, zhgënjyes ose irritues.
Nuk mund të konceptohet një thesar më i madh se Biri i Perëndisë.
Për më tepër, aftësia jonë për ta shijuar këtë thesar të pashtershëm nuk do të kufizohet nga dobësitë njerëzore. Ne do të kënaqemi në Birin e Perëndisë me vetë kënaqësinë që Ati ka për Të. Për këtë u lut Jezusi!
Kënaqësia e Perëndisë në Birin e Tij do të jetë në ne dhe do të jetë e jona–kënaqësia jonë në Birin. Kjo nuk do të ketë kurrë fund, sepse as Ati, as Biri nuk kanë fund.
Dashuria e tyre për njëri-tjetrin do të jetë dashuria jonë për Ta dhe për pasojë, dashuria jonë për Ta nuk do të vdesë dhe as do të pakësohet kurrë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione