Solid Joys ShqipShembull

Dashuri e pranishme dhe e fuqishme
Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? (Romakëve 8:35)
Vër re tri gjëra te Romakëve 8:35.
1. Krishti na do tani.
Një bashkëshorte mund të thotë për bashkëshortin e saj të ndjerë: “Asgjë nuk do të më ndajë nga dashuria e tij.” Ajo mund ta ketë me kuptimin që kujtimi i dashurisë së tij do të jetë i ëmbël dhe i fuqishëm gjithë jetën e saj. Por te ky varg Pali nuk e ka fjalën për këtë.
Te Romakëve 8:34 thuhet shumë qartë: “Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai edhe u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.” Arsyeja pse Pali mund të thotë se asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit, është sepse Krishti është i gjallë dhe ende na do, edhe tani.
Krishti është në të djathtën e Perëndisë dhe për pasojë Ai sundon për ne. Ai po ndërmjetëson për ne dhe kjo do të thotë se Ai po sigurohet që vepra e shpengimit, e përfunduar nga Ai, të na shpëtojë çast pas çasti dhe të na sjellë të sigurt në gëzimin e përjetshëm. Dashuria e Tij nuk është vetëm një kujtim. Ajo është një veprim çast pas çasti i Birit të gjallë dhe të gjithëpushtetshëm të Perëndisë për të na sjellë në gëzimin e përjetshëm.
2. Kjo dashuri e Krishtit është e efektshme për të na mbrojtur nga ndarja dhe për pasojë nuk është një dashuri universale për të gjithë, por një dashuri e veçantë për popullin e Tij–domethënë, për ata që, sipas Romakëve 8:28, e duan Perëndinë dhe janë të thirrur sipas qëllimit të Tij.
Kjo është dashuria e Efesianëve 5:25: “Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të.” Kjo është dashuria e Krishtit për kishën, për nusen e Tij. Krishti ka një dashuri për të gjithë dhe ka një dashuri të veçantë, shpëtuese dhe ruajtëse për nusen e Tij. Ti e di që je pjesë e asaj nuseje, nëse i beson Krishtit. Kushdo–pa përjashtim–kushdo që beson në Krishtin, mund të thotë se është pjesë e nuses së Tij, kishës së Tij, pjesë e të thirrurve dhe pjesë e të zgjedhurve të Tij, pjesë e atyre që sipas Romakëve 8:35 mbahen dhe ruhen përjetë, pavarësisht se çfarë ndodh.
3. Kjo dashuri ruajtëse, efektive dhe e gjithëpushtetshme nuk na kursen nga fatkeqësitë e kësaj jete, por na kalon të sigurt përmes tyre dhe na çon në gëzimin e përjetshëm me Perëndinë.
Ne do të vdesim, por vdekja nuk do të na ndajë dot nga dashuria e Tij. Prandaj kur Pali thotë në vargun 35 të Romakëve 8 se “shpata” nuk do të mund të na ndajë dot nga dashuria e Krishtit, ai po thotë se edhe nëse na vrasin, ne nuk ndahemi nga dashuria e Krishtit.
Prandaj mesazhi i përmbledhur në vargun 35 është ky: Jezu Krishti e do popullin e Tij tani me një dashuri të pushtetshme çast pas çasti, e cila nuk na shpëton gjithmonë nga fatkeqësitë, por na ruan për gëzimin e përjetshëm në praninë e Tij, madje edhe në mes të vuajtjes dhe vdekjes.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione