Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 235 NGA 366


Kënaqësi në lavdërim

Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi; të lëvdofshin tërë popujt. (Psalmi 67:3, 5)

Pse Perëndia këmbëngul që ne duhet ta lavdërojmë Atë?

C.S. Lewis thotë:

Ashtu si njerëzit lavdërojnë spontanisht çfarëdo që vlerësojnë, po kaq spontanisht na nxisin edhe ne që t’i bashkohemi lavdërimit të tyre: “A nuk është e bukur? A nuk ishte e lavdishme? A nuk mendon se kjo është madhështore?”

Kur psalmistët u thonë të gjithëve që ta lavdërojnë Perëndinë, ata po bëjnë të njëjtën gjë si njerëzit që flasin për atë që ju intereson. Kur bëhet fjalë për atë që ka Vlerën supreme, gjithë vështirësia ime me lavdërimin e Perëndisë kishte të bënte me faktin që në mënyrë absurde po i mohoja vetes, atë që kënaqemi të bëjmë, madje nuk ka se si të mos e bëjmë, për gjithçka tjetër që e vlerësojmë.

Mendoj se ne kënaqemi në lavdërimin e asaj që na pëlqen, sepse lavdërimi jo vetëm shpreh, por edhe e plotëson kënaqësinë. Kjo është përmbushja e caktuar e lavdërimit. Të dashurit nuk vazhdojnë t’i thonë njëri-tjetrit sa të bukur janë thjesht si kompliment. Kënaqësia është e paplotë derisa të shprehet.

Kjo është përgjigjja–zgjidhja për atë që duket si egomani e Perëndisë, kur na kërkon që ta lavdërojmë Atë. Kjo kërkohet për lumturinë tonë më të madhe. Ne e lavdërojmë atë me të cilën kënaqemi, sepse kënaqësia është e paplotë derisa të shprehet në lavdërim. Nëse nuk do të na lejohej të flisnim për atë që vlerësojmë, ta kremtojmë atë që duam dhe ta lavdërojmë atë që admirojmë, gëzimi ynë nuk do të ishte i plotë.

Prandaj, nëse Perëndia na do aq sa të na e bëjë gëzimin të plotë, Ai jo vetëm që duhet të na japë veten, por Ai duhet të na fitojë për veten, duke na larguar nga lavdërimi i zemrave tona–jo sepse ka nevojë që të kompensojë ndonjë dobësi apo mangësi në veten e Tij, por sepse Ai na do dhe kërkon plotësinë e gëzimit tonë, e cila mund të gjendet vetëm në njohjen dhe lavdërimin e Tij, qenies më madhështore nga të gjitha qeniet.

Nëse Perëndia është me të vërtetë për ne, Ai duhet të jetë edhe për veten e Tij! Perëndia është Qenia e vetme në tërë gjithësinë për të cilin kërkimi i lavdërimit të Tij është akti përfundimtar më i dashur. Për Të, vetëlartësimi është virtyti më i lartë. Kur Perëndia i bën të gjitha gjërat “për lëvdim të lavdisë së tij” (Efesianëve 1:12, 14), Ai ruan për ne dhe na ofron të vetmen gjë në të gjithë botën, e cila mund të na i përmbushë ëndjet tona.

Perëndia është për ne! Themeli i kësaj dashurie është që Perëndia ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë për veten e Tij.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​