Solid Joys ShqipShembull

Nuk kemi më frikë nga vdekja
Sepse, duke qenë se bijtë kanë të përbashkët mishin dhe gjakun, po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes atë, që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të çlironte të gjithë ata, që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën. (Hebrenjve 2:14-15)
Si na çliron Krishti nga frika e vdekjes, që të jemi të lirë të jetojmë me atë lloj dorëzimi të dashur që thotë: “le të humbasin familje dhe pasuri, madje edhe këtë jetë të vdekshme”?
Duke qenë se bijtë kanë të përbashkët mishin dhe gjakun...
Termi “bij” është marrë nga vargu pararendës dhe i referohet pasardhjes frymërore të Krishtit, Mesias. Këta janë gjithashtu “bijtë e Perëndisë”. Me fjalë të tjera, kur dërgoi Krishtin, Perëndia kishte parasysh sidomos shpëtimin e “bijve” të tij. “Duke qenë se bijtë kanë të përbashkët mishin dhe gjakun…”
po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra...
Biri i Perëndisë, i cili para se të mishërohej, ekzistonte si Fjala e përjetshme (Gjoni 1:1), mori mish dhe gjak, dhe e veshi hyjninë e Tij me natyrë njerëzore. Ai u bë plotësisht njeri dhe qëndroi plotësisht Perëndi.
që me anë të vdekjes...
Arsyeja pse Krishti u bë njeri, ishte që të vdiste. Si Perëndi, para mishërimit, Ai nuk mund të vdiste për mëkatarët, por i bashkuar me mish dhe gjak, Ai mund të vdiste. Synimi i Tij ishte që të vdiste. Prandaj, Ai duhej të lindte si njeri i vdekshëm.
të shkatërronte... atë, që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin...
Duke vdekur, Krishti e çarmatosi djallin. Si e bëri këtë? Duke i mbuluar mëkatet tona (Hebrenjve 10:12). Kjo do të thotë se Satani nuk ka më asnjë bazë të ligjshme për të na akuzuar para Perëndisë. “Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i drejtëson” (Romakëve 8:33). Mbi çfarë baze na drejtëson ai? Përmes gjakut të Jezusit (Hebrenjve 9:14; Romakëve 5:9).
Arma përfundimtare e Satanit kundër nesh është mëkati ynë. Nëse vdekja e Jezusit e heq tej, atëherë djallit i është hequr nga duart arma e tij kryesore. Në këtë kuptim, ai tani është bërë i pafuqishëm.
edhe të çlironte të gjithë ata, që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.
Prandaj, ne jemi të lirë nga frika e vdekjes. Perëndia na ka drejtësuar! Përpara nesh qëndron vetëm hiri i ardhshëm. Satani nuk mund ta shfuqizojë këtë dekret. Perëndia ka për qëllim që siguria jonë përfundimtare të ketë një efekt të menjëhershëm në jetën tonë. Ai ka për qëllim që fundi i lumtur, ta largojë skllavërinë dhe frikën e së tashmes.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione