Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 196 NGA 366

Shërbesa–më e rëndësishme se jeta

“Por unë nuk dua t’ia di fare, dhe as jetën time nuk e çmoj aq, sa të kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën, që mora nga Zoti Jezus.” (Veprat 20:24)

Sipas Dhiatës së Re, “shërbesa” është ajo që e bëjnë të gjithë të krishterët. Sipas Efesianëve 4:11-12, pastorët kanë punën e pajisjes së shenjtorëve për veprën e shërbesës, por të krishterët e zakonshëm janë ata që e bëjnë shërbesën.

Mënyrat se si duket shërbesa, janë po aq të larmishme sa dhe vetë të krishterët. Ajo nuk është ofiq si ai i plakut apo dhjakut; shërbesa është një stil jete i përkushtuar ndaj lartësimit të Krishtit dhe plotësimit të nevojave të të tjerëve.

Kjo do të thotë se ne u “bëjmë të mirën të gjithëve, por më shumë atyre që janë pjesëtarë të shtëpisë së besimit” (Galatasve 6:10). Qofshim bankierë apo muratorë, kjo do të thotë se synimi ynë është ta nxitim besimin dhe shenjtërinë e njerëzve të tjerë për lavdinë e Perëndisë.

Plotësimi i shërbesës tënde është më i rëndësishëm sesa të qëndruarit gjallë. Kjo bindje është ajo çfarë e bën aq frymëzuese soditjen e jetëve të njerëzve radikalisht të përkushtuar. Shumica prej tyre flasin ashtu si foli Pali për shërbesën e tij këtu te Veprat 20:24: “Por unë nuk dua t’ia di fare, dhe as jetën time nuk e çmoj aq, sa të kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën, që mora nga Zoti Jezus.” Përmbushja e shërbesës që Perëndia na jep të bëjmë, është më e rëndësishme se jeta.

Ti mund të mendosh se ke nevojë ta shpëtosh jetën tënde, në mënyrë që ta përmbushësh shërbesën tënde. Përkundrazi, mënyra se si e humbet jetën, mund të jetë mënyra se si e përmbush shërbesën. Sigurisht që kështu ishte për Jezusin–vetëm se Atij i ndodhi në të tridhjetat.

Nuk ka pse të shqetësohemi për ta mbajtur veten gjallë që të përmbushim shërbesën tonë. Vetëm Perëndia e di kohën e caktuar për shërbimin tonë. Ai do të vendosë se kur vdekja jonë nuk është ndërprerje e shërbesës që bëjmë, por akti i fundit i shërbesës tonë.

Henry Martyn kishte të drejtë kur tha: “Nëse [Perëndia] ka punë që unë duhet të bëj, atëherë nuk mund të vdes.” Me fjalë të tjera, unë jam i pavdekshëm derisa puna ime të jetë përmbushur. Prandaj shërbesa është më e rëndësishme se jeta.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​