Solid Joys ShqipShembull

Prehja e qiellit në zemërimin që po vjen
Sepse është e drejtë, përpara Perëndisë, t’u kthehet shtrëngimi atyre që po ju shtrëngojnë, kurse juve, që shtrëngoheni, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të zbulohet nga qielli me engjëjt e fuqisë së tij, në flakë zjarri, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. (2 e Thesalonikasve 1:6-8)
Do të vijë një kohë kur durimit të Perëndisë t’i vijë fundi. Kur Perëndia ta shohë që populli i Tij ka vuajtur për kohën e caktuar dhe kur numri i saktë i martirëve të jetë plotësuar (Zbulesa 6:11), atëherë do të vijë nga qielli një hakmarrje e drejtë dhe e shenjtë.
Vër re se hakmarrja e Perëndisë mbi ata që e kanë munduar popullin e Tij, përjetohet nga ne si “prehje”. “Sepse është e drejtë, përpara Perëndisë, t’u kthehet shtrëngim atyre që po ju shtrëngojnë, kurse juve, që shtrëngoheni, të preheni bashkë me ne.” Me fjalë të tjera, gjykimi mbi “ata që na shtrëngojnë” ne, është një formë hiri ndaj nesh.
Ndoshta tabloja më e jashtëzakonshme e gjykimit si hir është tabloja e shkatërrimit të Babilonisë te Zbulesa 18. Në çastin e shkatërrimit të saj dëgjohet një zë i madh nga qielli: “Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke gjykuar kundër tij, ju dha juve të drejtë.” Më pas dëgjohet një turmë e madhe që thotë: “Aleluja! Shpëtimi, lavdia e fuqia i përkasin Perëndisë tonë, se gjykimet e tij janë të vërteta e të drejta. Ai e gjykoi laviren e madhe që çoi tokën në shthurje me kurvërinë e saj dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij, të vrarë nga duart e saj” (Zbulesa 19:1-2, Së Bashku).
Kur durimit të gjatë të Perëndisë t’i vijë fundi, kur kjo epokë të marrë fund dhe kur të vijë gjykimi mbi armiqtë e popullit të Perëndisë, shenjtorët nuk do ta kundërshtojnë drejtësinë e Perëndisë.
Kjo do të thotë se shkatërrimi final i atyre që nuk pendohen, nuk do të jetë shkak mjerimi për popullin e Perëndisë.
Mosgatishmëria e të tjerëve për t’u penduar, nuk do t’i mbajë peng ndjenjat e shenjtorëve. Ferri nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë shantazh qiellit që të ndihet i mjeruar. Gjykimi i Perëndisë do të miratohet dhe shenjtorët do ta përjetojnë lartësimin e së vërtetës si një hir të madh.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione