Solid Joys ShqipShembull

Besim për të pamundurën
Por u forcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte. (Romakëve 4:20-21)
Pali ka në mendje një arsye të veçantë pse besimi e përlëvdon hirin e ardhshëm të Perëndisë. E thënë thjesht, arsyeja është që besimi i cili e përlëvdon Perëndinë është një siguri e orientuar drejt së ardhmes në integritetin, fuqinë dhe urtësinë e Perëndisë për t’i mbajtur të gjitha premtimet e Tij.
Pali e ilustron këtë besim me reagimin e Abrahamit ndaj premtimit të Perëndisë: që ai do të ishte ati i shumë kombeve edhe pse ishte plak dhe gruaja e tij ishte shterpë (Romakëve 4:18). “Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese,” domethënë, ai kishte besim në hirin e ardhshëm të premtimit të Perëndisë, pavarësisht çdo prove njerëzore për të kundërtën.
Dhe, duke mos qenë i dobët në besim, nuk e mori parasysh trupin e tij, i bërë tashmë i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkun e vdekur të Sarës. Madje nuk dyshoi me mosbesim në premtimin e Perëndisë, por u forcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte. (Romakëve 4:19-21)
Besimi i Abrahamit ishte një besim në premtimin e Perëndisë për ta bërë atë atin e shumë kombeve. Ky besim e përlëvdoi Perëndinë, sepse e tërhoqi vëmendjen te të gjitha burimet e gjithëpushtetshme dhe të mbinatyrshme të Perëndisë, të cilat do të nevojiteshin për ta përmbushur atë premtim.
Abrahami ishte tepër plak për të pasur fëmijë dhe Sara ishte shterpë. Jo vetëm kaq, por si mund ta kthesh një bir ose dy në “shumë kombe”, ati i të cilave, Perëndia tha se do të ishte Abrahami? E gjithë kjo dukej krejtësisht e pamundur.
Prandaj, besimi i Abrahamit e përlëvdoi Perëndinë duke qenë plotësisht i sigurt se Ai mundej dhe do ta bënte atë që ishte e pamundur nga ana njerëzore. Ky është besimi që jemi thirrur të kemi. Që Perëndia do të bëjë për ne atë që ne s’mund ta bëjmë dot kurrë për veten tonë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione