Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 150 NGA 366

Kur Perëndia vepron kundër vullnetit të Tij

Por ata nuk e dëgjuan zërin e atit të tyre, sepse Zoti dëshironte të vdisnin. (1 i Samuelit 2:25)

Bijtë e priftit Eli nuk iu bindën babait kur ai i qortoi për mëkatin e tyre. Ky tekst ka tri rrjedhoja për jetën tonë:

1) Është e mundur që të mëkatosh aq gjatë dhe ta trishtosh Zotin aq fort sa Ai të mos të ta japë pendimin.

Kjo është arsyeja pse pas gjithë mësimit dhe përgjërimit tonë, Pali thotë: “me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen”—jo, “do t’ju japë pendimin” (2 e Timoteut 2:25). Në jetën e mëkatit ekziston një “tepër vonë”. Siç thuhet edhe për Esaun te Hebrenjve 12:17: “Ndonëse e kërkoi me lot, sepse nuk gjeti vend pendimi.” Ai ishte braktisur; ai nuk mund të pendohej.

Kjo nuk do të thotë se ata që pendohen vërtet, edhe pas një jete të tërë mëkati, nuk mund të shpëtohen. Ata sigurisht që mund të shpëtohen dhe do të shpëtohen! Perëndia është jashtëzakonisht i mëshirshëm. Kujtoni kusarin në kryq. Jezusi i tha atij: “Në të vërtetë po të them; sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43).

2) Ndonjëherë Perëndia nuk e lejon një person që mëkaton të bëjë atë që është e drejtë.

“Por ata nuk e dëgjuan zërin e atit të tyre, sepse Zoti dëshironte të vdisnin.” Dëgjimi i zërit të atit të tyre ishte gjëja e duhur për t’u bërë, por ata nuk e bënë. Pse? “Sepse Zoti dëshironte të vdisnin.”

Arsyeja që jepet pse ata nuk iu bindën atit të tyre ishte që Perëndia kishte qëllime të tjera për ta, dhe i kishte dorëzuar në mëkat dhe vdekje. Kjo tregon që ka raste kur vullneti i dekretit të Perëndisë ndryshon nga vullneti i zbuluar i urdhërimit të Perëndisë.

3) Ndonjëherë lutjet tona që vullneti i zbuluar i Perëndisë të bëhet, nuk do të përmbushen sepse Perëndia ka dekretuar diçka tjetër për qëllimet e Tij të shenjta dhe të urta.

Mendoj se Eli u lut që bijtë e tij të ndryshonin. Kështu duhej të ishte lutur ai, por Perëndia e kishte dekretuar që Hofni dhe Fineas të mos bindeshin, por përkundrazi, të vdisnin.

Kur ndodh diçka e tillë (gjë të cilën zakonisht nuk e dimë që para kohe) teksa i këlthasim Perëndisë për ndryshim, përgjigjja e Tij nuk është: “Nuk të dua.” Përkundrazi, përgjigjja është kjo: “Unë kam qëllime të urta dhe të shenjta për të mos e mposhtur këtë mëkat dhe për të mos dhënë pendim. Ti nuk i sheh këto qëllime tani. Më beso mua! Unë e di çfarë po bëj. Unë të dua.”

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​