Solid Joys ShqipSample

Po aq e sigurt sa dashuria e Perëndisë për Birin e Tij
Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të? (Romakëve 8:32)
Perëndia zhvesh çdo dhimbje nga fuqia e saj shkatërruese. Këtë duhet ta besosh, ose ndryshe nuk do të lulëzosh dhe ndoshta as do të mbijetosh si i krishterë në mes të trysnive dhe tundimeve të jetës moderne.
Ka kaq shumë dhimbje, kaq shumë pengesa dhe dekurajime, kaq shumë polemika dhe presione. Nuk e di ku do të shkoja, nëse nuk do të besoja se Perëndia i plotfuqishëm po merr çdo pengesë, çdo dekurajim, çdo polemikë, çdo presion dhe çdo dhimbje, dhe po i zhvesh ato nga fuqia e tyre shkatërruese dhe në të njëjtën kohë, po i bën të bashkëveprojnë për zmadhimin e gëzimit tim në Perëndinë.
Dëgjo fjalët e mahnitshme të Palit te 1 e Korintasve 3:21-23: “Të gjitha janë tuajat; qoftë Pali, qoftë Apoli, qoftë Kefa, qoftë bota, qoftë jeta, qoftë vdekja, qoftë gjërat e tanishme, qoftë gjërat e ardhshme, të gjitha janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.” Bota është e jona, jeta është e jona, vdekja është e jona dhe këtë unë e marr me kuptimin: Perëndia mbretëron në mënyrë aq supreme për të mirën e të zgjedhurve të Tij, saqë gjithçka me të cilën përballemi gjatë një jete bindjeje dhe shërbimi, do të nënshtrohet nga dora e pushtetshme e Perëndisë dhe do t'i shërbejë shenjtërisë sonë dhe gëzimit tonë të përjetshëm në Perëndinë.
Nëse Perëndia është për ne, dhe nëse Perëndia është Perëndi, atëherë është e vërtetë se asgjë s’mund të ketë sukses kundër nesh. Ai që nuk e kurseu Birin e Tij, por e dha për ne të gjithë, bashkë me Të do të na i japë të gjitha gjërat, lirshëm dhe pa kthim—të gjitha gjërat—botën, jetën, vdekjen dhe vetë Perëndinë.
Vargu i Romakëve 8:32 është për ne si një mik i çmuar. Premtimi i hirit të ardhshëm të Perëndisë të rrëmben zemrën. Ama jashtëzakonisht i rëndësishëm është themeli i këtij premtimi, të cilin e kam quajtur logjika e qiellit. Ky është një vend ku mund të qëndrosh kundër çdo pengese. Perëndia nuk e kurseu Birin e Tij! Prandaj! Prandaj! Logjika e qiellit! Prandaj, aq më tepër Ai nuk do të kursejë përpjekjet për të na dhënë gjithçka, për të cilën Krishti vdiq që ta blejë—të gjitha gjërat, të gjitha të mirat dhe të gjitha të këqijat, që bashkëveprojnë për të mirën tonë!
Kjo është po aq e sigurt, sa edhe fakti që Ai e deshi Birin e Tij!
Scripture
About this Plan

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Related Plans

Mom Guilt Meets Grace

Spiritual FOMO Is a Thing

Practical Ways to Love God & Others: Devotions for Girls (I Am Available)

Philippians: Joy in Christ

Is ‘Making Money While You Sleep’ Biblical?

Lessons From the Life of Abraham

Two-Year Chronological Bible Reading Plan (First Year-July)

What Now

Women of the New Testament
