YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 54 OF 366

Ora e kërcënimit të pazakontë

"Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishti, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju.” (1 e Pjetrit 4:14)

Shumë të krishterë sot, nuk e njohin rrezikun jetëkërcënues që vjen bashkë me besimin në Krishtin. Ne jemi mësuar të jemi të lirë nga një përndjekje e tillë. Duket sikur kështu duhet të jenë gjërat.

Prandaj, reagimi ynë i parë ndaj kërcënimit që gjërat mund të ndryshojnë, shpesh është zemërimi. Sidoqoftë, ai zemërim mund të jetë një shenjë që e kemi humbur ndjesinë e të qenët të huaj dhe shtegtarë (“Të dashur, po ju nxis, si të huaj dhe shtegtarë...” (1 e Pjetrit 2:11).

Ndoshta jemi rehatuar së tepërmi në këtë botë. Nuk ndihemi aq të përmalluar për Krishtin sa Pali: “Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim me durim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht” (Filipianëve 3:20).

Shumë nga ne kemi nevojë të na kujtojnë: “Të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju, se si ju ndodhi diçka e çuditshme” (1 e Pjetrit 4:12). Nuk është e çuditshme.

A e ke vrarë ndonjëherë mendjen se si do t’ia bësh në orën e sprovës finale? Përfytyro sikur të kanë vënë koburen në kokë dhe të thonë: “A je i krishterë?” Ja një fjalë e fortë për të të dhënë shpresë që t’ia dalësh më mirë nga sa e mendon.

Pjetri thotë: Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishti, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju” (1 e Pjetrit 4:14). Ky inkurajim nga Pjetri thotë se në orën e kërcënimit të pazakontë (qoftë poshtërim apo vdekje), “Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë” do të “prehet” mbi ne. A nuk do të thotë kjo se në orën e krizës Perëndia u jep ndihmë të veçantë, atyre që vuajnë për shkak se janë të krishterë?

Nuk dua të them se Ai nuk është pranë nesh në vuajtjet tona të tjera. Thjesht po them se Pjetri bëri çmos për të thënë se ata që vuajnë “për emrin e Krishtit”, do të përjetojnë një “prehje” të veçantë të “Frymës së lavdisë dhe Frymës së Perëndisë”.

Lutu që ky të jetë përjetimi yt kur të vijë sprova. Në atë moment, do të kemi burime qëndrueshmërie, të cilat nuk i kemi në ndonjë rast tjetër. Merr zemër!

Scripture

Day 53Day 55