YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 53 OF 366

Të kënaqesh me plotësinë e Tij

“Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir mbi hir.” (Gjoni 1:16)

Pak para takimit të së dielës së kaluar, grupi i vogël i shenjtorëve po lutej, po përleshej fort në betejë për besimin e njerëzve tanë, për kishat në Qytetet Binjake (Minesota & Shën Pali), si dhe për kombet. Në një moment, një nga burrat u lut me fjalët nga Gjoni 1:14, 16:

Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë...Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir mbi hir.

Ky për mua ishte një moment epifanie. Në atë moment, Perëndia bëri që fjala “plotësi”—prej plotësisë së Tij—të përcillte një kuptim aq të plotë e të jashtëzakonshëm në efektin që pati tek unë. Ndjeva në njëfarë mase se çfarë mbart kjo fjalë në të vërtetë—plotësinë e Krishtit.

Ndjeva një pjesë të mahnitjes që, po, unë me të vërtetë kisha marrë hir mbi hir prej plotësisë së Tij. Aty po merrja hir mbi hir. Në atë çast, ndjeva që asnjë gjë nuk do të kishte qenë më e ëmbël sesa thjesht të ulesha te këmbët e Tij—apo të lexoja Biblën gjithë pasditen— dhe ta ndieja plotësinë e Tij që më mbulonte.

Pse kjo plotësi pati një ndikim të tillë në mua—dhe pse vazhdon ende të më prekë në mënyrë të pazakontë edhe sot? Pjesërisht për shkak se...

  • ...Ai nga plotësia e të cilit po mbulohem me hir, është Fjala që ishte me Perëndinë dhe ishte Perëndi (Gjoni 1:1-2), prandaj plotësia e Tij është plotësia e Perëndisë—një plotësi hyjnore, një plotësi e pafundme;
  • ...kjo Fjalë u bë mish, prandaj Ai ishte një prej nesh dhe na ndoqi me plotësinë e Tij—kjo është një plotësi e arritshme;
  • ...kur kjo Fjalë u shfaq në trajtë njerëzore, lavdia e Tij u bë e dukshme—plotësia e Tij është një plotësi e lavdishme;
  • ...kjo Fjalë ishte “i vetëmlinduri nga Ati” (Gjoni 1:14) dhe ajo plotësi hyjnore po përcillej tek unë jo vetëm nga Perëndia, por përmes Perëndisë—Perëndia nuk dërgoi një engjëll, por Birin e Tij të vetëm për ta përcjellë plotësinë e Tij;
  • ...plotësia e Birit është plotësia e hirit—nuk do të mbytem në këtë plotësi, por do të bekohem në çdo aspekt nga kjo plotësi;
  • ....kjo plotësi nuk është vetëm një plotësi e hirit, por edhe plotësi e së vërtetës—nuk po më dhurohen lajka që e injorojnë të vërtetën; ky hir është i rrënjosur në realitetin e palëkundshëm.

Atëherë, nuk është e habitshme që të ndihem i mahnitur dhe plot me gëzim nga plotësia e Krishtit!

Scripture

Day 52Day 54