YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 45 OF 366

Krishti si mjeti dhe synimi

“U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua; por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.” (Galatasve 2:20)

Pse e krijoi Perëndia gjithësinë? Pse Ai e qeveris gjithësinë kështu? Çfarë po arrin Perëndia? A është Jezu Krishti një mjet për këtë arritje apo synimi i saj?

Jezu Krishti është zbulesa më e lartë e Perëndisë. Ai është Perëndia në formë njerëzore. Dhe si i tillë, Ai është synimi, dhe jo një mjet.

Kuptimi i ekzistencës së gjithësisë është manifestimi i lavdisë së Perëndisë. Kjo është ajo që Perëndia po arrin. Qiejt dhe historia e botës: “tregojnë lavdinë e Perëndisë”.

Gjithsesi, Jezu Krishti u dërgua për të arritur diçka që duhej bërë. Ai erdhi që të sillte zgjidhjen për rënien në mëkat. Ai erdhi për t’i çliruar mëkatarët nga shkatërrimi i pashmangshëm si pasojë e mëkatit të tyre. Këta njerëz të shpëtuar do ta shohin, do ta shijojnë dhe do ta shfaqin lavdinë e Perëndisë me gëzim të përjetshëm.

Të tjerët do të vazhdojnë ta përbuzin lavdinë e Perëndisë. Ja pse, Jezu Krishti është mjeti i Perëndisë për të arritur atë që Ai kishte në mendje përmes manifestimin e lavdisë së Tij, për kënaqësinë e popullit të Tij. Askush nuk do ta shohë, ta shijojë dhe ta kremtojë lavdinë e Perëndisë veçmas veprës së Krishtit. Synimi i gjithësisë do të humbiste. Prandaj, Krishti është një mjet.

Sidoqoftë, në atë arritje në kryq, kur Krishti vdiq për mëkatarët, Ai zbuloi dashurinë dhe drejtësinë e Atit në mënyrë supreme. Ky ishte kulmi i zbulesës së lavdisë së Perëndisë—lavdia e hirit të Tij.

Prandaj, pikërisht kur Jezusi kreu veprën e Tij të përsosur si mjeti i qëllimit të Perëndisë, Jezusi u bë në të njëjtën kohë synimi i atij qëllimi. Me vdekjen e Tij në vend të mëkatarëve dhe me ringjalljen e Tij për jetën e tyre, Ai u bë zbulesa qendrore dhe supreme e lavdisë së Perëndisë.

Prandaj, Krishti i kryqëzuar është si mjeti, ashtu edhe synimi i qëllimit të Perëndisë në gjithësi.

Pa veprën e Tij, synimi i Perëndisë, pra, zbulimi i plotësisë së lavdisë së Perëndisë për kënaqësinë e popullit të Perëndisë, nuk do të kishte ndodhur.

Në atë vepër-mjet, Ai u bë synimi—Ai do të jetë qendra e adhurimit tonë në jetë të jetëve, ndërsa ne kalojmë përjetësinë duke parë dhe shijuar gjithnjë e më tepër nga ajo që Ai zbuloi prej Perëndisë kur u bë vetë mallkim për ne.

Jezusi është synimi për të cilin u krijua gjithësia, si dhe mjeti që bën të mundur që ai synim të shijohet nga mëkatarët e drejtësuar.