YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 42 OF 366

Forma më e mirë e skllavërisë

Sepse ai që është i thirrur në Zotin duke qenë skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur, duke qenë i liruar, është skllav i Krishtit.” (1 e Korintasve 7:22)

Prisja që Pali t’ua ndryshonte vendet fjalëve “Zot”, që do të thotë Zotëri dhe “Krisht”, që domethënë Mesia.

Ai e lidh lirimin tonë me faktin që Jezusi është Zotëria ynë (“i liruari i Zotit”). Ai e lidh skllavërinë tonë të re me Jezusin si Mesia ynë (“skllav i Krishtit”). Kjo më duket e çuditshme, sepse Mesia erdhi ta lironte popullin e Tij nga zotëruesit e tyre; dhe zotërinjtë marrin kontrollin e jetës së skllevërve të tyre.

Pse Pali e shpreh kështu? Pse e lidh skllavërinë (dhe jo lirimin) me Mesian, dhe lirimin (jo skllavërinë) me Zotin?

Sugjerim: Ky shkëmbim ka dy efekte në lirinë tonë të re dhe dy efekte në skllavërinë tonë të re.

Nga njëra anë, duke na quajtur “të liruarit e Zotit”, Ai e siguron dhe e kufizon lirinë tonë të re:

  1. Ai është Zot mbi të gjithë zotërit; ndaj lirimi ynë nuk mund të vihet në dyshim—pra, është absolutisht i sigurt.
  2. Megjithatë, duke qenë të lirë nga çdo zot tjetër, ne nuk jemi të lirë prej Tij. Liria jonë është kufizuar në mëshirën e Tij. Jezusi është Mesia ynë.

Nga ana tjetër, kur na quan “skllevër të Krishtit”, Ai e liron dhe e ëmbëlson skllavërinë tonë:

  1. Mesia shpall të drejtën e Tij mbi të vetët, në mënyrë që t’i sjellë ata nga kufizimet e robërisë në viset e hapura të paqes. “Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit” (Isaia 9:6).
  2. Ai i bën ata të vetët, për t’u dhënë atyre gëzimin më të ëmbël. “Do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi” (Psalmi 81:16). Ai Shkëmb është Krishti, Mesia.

Prandaj, ti i krishterë, gëzohu: “Sepse ai që është i thirrur në Zotin duke qenë skllav, është i liruari i Zotit”—i Zotërisë. “Po ashtu, ai që është thirrur, duke qenë i liruar, është skllav i Krishtit—i Mesias që liron dhe ëmbëlson.”