YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 37 OF 366

Fyhemi këtu, shpërblehemi atje

“Ai do të jetë si një dru i mbjellë përgjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e vet në stinën e vet dhe që gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.” (Psalmi 1:3)

Si na drejton premtimi i Psalmit 1:3 te Krishti?

Aty thuhet: “Dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.” Të drejtët begatohen në gjithçka që bëjnë. A është naive apo një e vërtetë e thellë?

Në këtë jetë, sigurisht që duket se të ligjtë begatohen. “Mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e tij të këqija!” (Psalmi 37:7). “Ata që kryejnë paudhësi jo vetëm përfitojnë, por ndonëse e provokojnë Perëndinë, mbeten të pandëshkuar” (Malakia 3:15).

Të drejtët shpesh vuajnë në këtë jetë dhe mirësia e tyre shpërblehet me abuzim. “Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë...a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia?...Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele për therje” (Psalmi 44:20-22). Edhe vetë psalmistët e dinin këtë. Nuk po protestojmë për ndonjë gjë që ata nuk e dinin tashmë.

Prandaj, kur psalmisti thotë: “Dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi,” ai nuk po tregohet naiv. Ai po na drejton përtej paqartësive të kësaj jete drejt jetës pas vdekjes, ku dobia e vërtetë, pra begatia e vërtetë, e asaj që kemi bërë, do të bëhet e dukshme.

Kjo ishte mënyra se si mendonte Pali.

Së pari, ai kremton fitoren e Krishtit mbi vdekjen. “O vdekje, ku është gjëmba jote?...Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht” (1 e Korintasve 15:55, 57).

Pastaj, ai vë në dukje rrjedhojën që, për shkak të këtij triumfi, çdo vepër që kanë bërë ndonjëherë besimtarët do të ketë mbarësi. “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur...mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 e Korintasve 15:58). Kur diçka nuk është e kotë, ajo ka mbarësi.

Për shkak se Jezusi vdiq në vendin tonë, Ai garanton se çdo vepër e mirë herët a vonë do të ketë mbarësi. “Duke e ditur se çdo të mirë që të bëjë gjithsecili, atë edhe do të marrë nga Zoti” (Efesianëve 6:8). “Lum ju kur do t’ju fyejnë… Gëzohuni dhe ngazëllehuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej” (Mateu 5:11, 12). Këtu fyhemi, atje shpërblehemi.

Ajo që duket naive në Dhiatën e Vjetër (“dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi”) na drejton plotësisht drejt veprës së Krishtit dhe realitetit të ringjalljes. Sikurse thonë edhe fjalët e himnit madhështor të shkruara nga Katharina von Schlegel: “Qetësohu o shpirt”:

“Qetësohu o shpirt: Jezusi yt të shpërblen
Nga plotësia e Tij për gjithë sa të ka marrë.”

Scripture