YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 30 OF 366

Hir triumfues

“I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t’i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar.” (Isaia 57:18)

Mësoje doktrinën tënde nga tekstet biblike, kështu ajo do të jetë më e qëndrueshme dhe do të të ushqejë shpirtin.

Për shembull, mësoje doktrinën e hirit të parezistueshëm nga tekstet biblike. Kështu do të shohësh se nuk do të thotë që nuk mund t’i rezistosh hirit; por do të thotë që kur Perëndia zgjedh, Ai mundet dhe e mposht atë rezistencë.

Tek Isaia 57:17-19, për shembull, Perëndia e qorton popullin e Tij rebel duke i goditur dhe duke jua fshehur fytyrën e Vet: “Për shkak të paudhësisë së lakmisë së tij u zemërova dhe e godita; u fsheha, u zemërova…” (vargu 17).

Sidoqoftë, ata nuk reaguan me pendim. Përkundrazi, vazhduan të largoheshin. Ata rezistuan: “por ai u largua duke ndjekur rrugën e zemrës së vet” (vargu 17).

Prandaj, mund t’i rezistosh hirit. Në fakt, Stefani u tha udhëheqësve judenj: “Ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë” (Veprat 7:51).

Çfarë bën Perëndia atëherë? A është Ai i pafuqishëm për t’i sjellë ata që rezistojnë në pendim dhe plotësi? Jo. Ai nuk është i pafuqishëm. Vargu pasues thotë: “I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t’i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar” (Isaia 57:18).

Pra, përballë largimit kokëfortë që i reziston hirit, Perëndia thotë: “Unë do ta shëroj.” Ai “do t’i japë përsëri.” Fjala e përdorur këtu është “do ta bëj sërish të shëndoshë apo të plotë.” Kjo lidhet me fjalën shalom, “paqe”. Ajo plotësi dhe paqe përmendet në vargun pasardhës dhe kjo shpjegon si Perëndia e rikthen një person që është larguar dhe i ka rezistuar hirit.

Ai e bën këtë duke krijuar ‘“frytin e buzëve. Paqe, paqe (shalom, shalom), atij që është larg dhe atij që është afër’, thotë ZOTI, ‘Unë do ta shëroj’” (Isaia 57:19). Perëndia krijon atë që nuk është e pranishme—paqe, plotësi. Kështu shpëtohemi ne, kështu kthehemi nga largimi—herë pas here.

Hiri i Perëndisë triumfon mbi rezistencën tonë duke krijuar lavdërim atje ku ai nuk ekziston. Ai sjell shalom, shalom tek ata që janë afër dhe ata që janë larg. Plotësi, plotësi për atë që është afër dhe për atë që është larg. Ai e bën këtë duke “ripërtërirë,” domethënë, duke e zëvendësuar sëmundjen e rezistencës me shëndetin e nënshtrimit.

Ideja e hirit të parezistueshëm nuk është që ne nuk mund të rezistojmë. Ne mundemi dhe në fakt, rezistojmë. Ideja është që kur Perëndia zgjedh, Ai e mposht rezistencën tonë dhe na ripërtërin një frymë të nënshtruar. Ai krijon. Ai thotë: “U bëftë drita!” Ai shëron. Ai udhëheq. Ai ripërtërin. Ai ngushëllon!

Prandaj, ne nuk mburremi kurrë që jemi kthyer nga largimi ynë. Ne biem me fytyrë përtokë para Zotit dhe me një gëzim drithërues e falënderojmë Atë për hiri e Tij të parezistueshëm që e mposhti rezistencën tonë.

Scripture

Day 29Day 31

About this Plan

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More