YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 205 OF 366

Si ta kundërshtosh dëshirën mëkatare

Me anë të besimit Moisiu, si u bë i madh, nuk pranoi të quhej biri i së bijës së Faraonit, duke zgjedhur më mirë të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë, sesa të gëzonte për njëfarë kohe dëfrimet e mëkatit, duke e çmuar fyerjen e Krishtit si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi. (Hebrenjve 11:24-26)

Këto fjalë mund t’i përmbledhësh në pjesët më thelbësore: “Me anë të besimit Moisiu… [i braktisi] dëfrimet e mëkatit… sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi” (Hebrenjve 11:24-26).

Besimi nuk kënaqet me “kënaqësitë kalimtare”, por është i etur për gëzim. Gëzim që zgjat përgjithmonë. Fjala e Perëndisë thotë: “Ka plot gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:11). Prandaj, besimi nuk shpërqendrohet për të shkuar drejt kënaqësive të mëkatit dhe nuk do të dorëzohet aq lehtë në kërkimin e tij për gëzimin maksimal.

Roli i fjalës së Perëndisë është që të ushqejë oreksin e besimit për Perëndinë. Duke e bërë këtë, fjala e zvjerdh zemrën nga shija mashtruese e epshit.

Në fillim, epshi fillon të më mashtrojë që të ndihem se do të humbas një kënaqësi e madhe nëse ndjek shtegun e pastërtisë, por pastaj marr shpatën e Frymës dhe filloj të luftoj.

  • Unë lexoj që është më mirë të nxjerr syrin sesa t’i dorëzohem epshit (Mateu 5:29).
  • Lexoj që nëse mendoj për gjëra që janë të pastra, të dashura dhe me famë të mirë, paqja e Perëndisë do të jetë me mua (Filipianëve 4:8-9).
  • Lexoj që mendja e vendosur te mishi sjell vdekje, por mendja e vendosur te Fryma sjell jetë dhe paqe (Romakëve 8:6).
  • Lexoj që epshi lufton kundër shpirtit tim (1 e Pjetrit 2:11) dhe që kënaqësitë e kësaj jete e mbysin jetën e Frymës (Luka 8:14).
  • Por më e mira nga të gjitha është që lexoj se Perëndia nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt (Psalmi 84:11) dhe se ata që janë të pastër në zemër do ta shohin Perëndinë (Mateu 5:8).

Ndërsa lutem që besimi im të kënaqet me jetën dhe paqen e Perëndisë, shpata e Frymës e heq tej fasadën mashtruese të helmit të epshit. E shoh siç është në realitet dhe me hirin e Perëndisë, fuqia e tij joshëse thyhet.