YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 185 OF 366

Lajm i mirë: Perëndia është i lumtur

… sipas ungjillit të lavdisë të të lumit Perëndi… (1 e Timoteut 1:11)

Kjo është një frazë e bukur te letra e parë e Timoteut, e mbuluar poshtë sipërfaqes tepër të njohur të fjalëve më në modë të Biblës. Gjithsesi, pasi e ke gërmuar, tingëllon kështu: “Sipas lajmit të mirë të lavdisë të të lumit Perëndi.” Fjala “i lumë” nuk do të thotë “i lavdëruar”, por ka kuptimin “i lumtur”.

Një pjesë e madhe e lavdisë së Perëndisë është lumturia e Tij.

Për apostullin Pal ishte e pakonceptueshme që Perëndisë t’i privohet gëzimi i pafundmë dhe ende të jetë plotësisht i lavdishëm. Të jesh pafundësisht i lavdishëm do të thotë të jesh pafundësisht i lumtur. Ai përdori frazën: “lavdisë të tëlumit Perëndi”, sepse është gjë e lavdishme që Perëndia të jetë i lumtur ashtu siç është.

Lavdia e Perëndisë konsiston më së shumti në faktin që Ai është i lumtur përtej çdo përfytyrimi. Siç tha edhe predikuesi i madh i shekullit të tetëmbëdhjetë, Jonathan Edwards: “Pjesë e plotësisë së Perëndisë të cilën Ai e komunikon është lumturia e Tij. Kjo lumturi qëndron në gëzimin dhe shijimin e vetes së Tij; këtu qëndron gjithashtu edhe lumturia e krijesës.”

Kjo është pjesë thelbësore e ungjillit, thotë Pali, “ungjillit të lavdisë të të lumit Perëndi”. Është lajm i mirë që Perëndia është lavdishëm i lumtur. Askush nuk do të donte ta kalonte përjetësinë me një Perëndi të zymtë dhe të trishtuar.

Nëse Perëndia nuk është i lumtur, atëherë synimi i ungjillit—që të jemi me Perëndinë përgjithmonë—nuk është një synim i lumtur dhe kjo do të thotë se nuk do të ishte fare ungjill. Por, në fakt, Jezusi na fton ta kalojmë përjetësinë me një Perëndi të lumtur kur thotë: “Hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:23).

Jezusi tha te Gjoni 15:11: “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” Jezusi foli, jetoi dhe vdiq që gëzimi i Tij—gëzimi i Perëndisë—të jetë në ne dhe që gëzimi ynë të jetë i plotë. Prandaj, ungjilli është “ungjilli i lavdisë të të lumit Perëndi”.