YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 109 OF 366


O Perëndi, preki zemrat tona

“Edhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij në Gibeah, dhe me të shkuan njerëz trima, të cilëve Perëndia u kish prekur zemrën.” (1 e Samuelit 10:26)

Mendo pak se çfarë po thuhet në këtë varg. Perëndia i preku. Jo bashkëshortja. Jo fëmija. Jo prindi. Jo këshilltari, por Perëndia. Perëndia i preku.

Ai që ka fuqinë e pafundme të gjithësisë. Ai që ka autoritetin e pafundmë, urtësinë e pafundme, dashurinë e pafundme, mirësinë e pafundme, pastërtinë e pafundme dhe drejtësinë e pafundme. Ai e preku zemrën e tyre.

A mundet qarku i Jupiterit të prekë skajin e një molekule? Apo të depërtojë në bërthamën e saj?

Prekja e Perëndisë është e mahnitshme, jo vetëm sepse është Perëndia ai që prek, por gjithashtu për faktin se është një prekje. Kjo është një lidhje reale. Fakti që përfshin zemrën, është i mahnitshëm. Fakti që përfshin Perëndinë, është i mahnitshëm dhe fakti që përfshin një prekje reale,është gjithashtu i mahnitshëm.

Këtyre burrave trima jo vetëm iu folën, jo vetëm u prekën nga një ndikim hyjnor, jo vetëm u panë dhe u njohën, por Perëndia, me një përulje të pafundme, ua preku zemrën. Perëndia ishte kaq pranë tyre. Dhe ata nuk u shkatërruan.

E dua atë prekje! E dëshiroj gjithnjë e më shumë, për veten time dhe për të gjithë ju. Lutem që Perëndia të më prekë sërish me lavdinë e Tij dhe për lavdinë e Tij. Lutem që Ai të na prekë të gjithëve ne.

Oh, prekja e Perëndisë! Nëse vjen me zjarr, ashtu qoftë. Nëse vjen me ujë, ashtu qoftë. Nëse vjen me erë, le të vijë, o Perëndi. Nëse vjen me bubullima dhe vetëtima, le të përulemi para saj.

O Zot, eja! Na u afro. Digj, njom, fry dhe thyej! Qoftë edhe me shushuritjen e ëmbël. Eja plotësisht. Prek zemrat tona!