YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 1

1
Zanafilla e vuajtjeve të Jobit
1Në dheun e Ucit jetonte një njeri me emrin Job. Ai ishte i përkryer e i drejtë, e druante Perëndinë dhe i kthente shpinën të keqes. 2Atij i kishin lindur shtatë djem e tri vajza. 3Kishte një pasuri prej shtatë mijë delesh, tre mijë devesh, pesëqind pendë qesh dhe pesëqind gomaricash. Kishte edhe shumë shërbëtorë. Ky ishte njeriu më i madh ndër të gjithë njerëzit e lindjes.
4Djemtë e tij shkonin me radhë në shtëpitë e njëri-tjetrit për të bërë festë. Ftonin edhe tri motrat për të ngrënë e për të pirë me ta. 5Pasi i kryenin ditët e festave, Jobi i thërriste për t'i shenjtëruar. Ai çohej herët në mëngjes dhe kushtonte fli shkrumbimi për të gjithë, sepse thoshte: «Ndoshta kanë mëkatuar bijtë e mi e kanë fyer Perëndinë në zemrat e tyre». Kështu vepronte Jobi gjithmonë.
6Një ditë bijtë e Perëndisë shkuan për t'u paraqitur para Zotit e bashkë me ta shkoi edhe Satani. 7Zoti e pyeti Satanin: «Nga po vjen?». Satani iu përgjigj Zotit: «Nga toka. Iu solla rrotull e i rashë kryq e tërthor». 8Zoti e pyeti: «A të ka rënë në sy shërbëtori im, Jobi? Askush mbi tokë nuk është si ai, njeri i përkryrer e i drejtë, që druan Perëndinë dhe i kthen shpinën të keqes». 9Por Satani iu përgjigj: «Mos vallë më kot e druan Jobi Perëndinë? 10A nuk e ke rrethuar me mburojë atë vetë, shtëpinë e tij dhe gjithçka ka? Ti e ke bekuar punën e duarve të tij dhe pasuria e tij mbi tokë është rritur. 11Provo e vër dorë mbi gjithçka ka, në s'ka për të të mallkuar haptas». 12Zoti i tha Satanit: «Ja, po të lë në dorë gjithçka ka, por atë vetë mos e prek me dorë!». Atëherë Satani u largua nga Zoti.
13Një ditë, kur bijtë dhe bijat e Jobit po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh, 14erdhi te Jobi një lajmëtar e i tha: «Qetë po lëronin dhe gomaricat po kullotnin pranë tyre, 15kur iu vërsulën shabaitët e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». 16Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Zjarri i Perëndisë ra nga qielli dhe dogji delet e përpiu shërbëtorët, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». 17Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Kaldenjtë ngritën tri çeta, u lëshuan mbi devetë e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar».
18Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Bijtë dhe bijat e tua po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh, 19kur ia behu nga shkretëtira një stuhi e fortë, që u përplas mbi të katër qoshet e shtëpisë, e cila u shemb mbi të rinjtë. Ata vdiqën, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar».
20Atëherë Jobi u ngrit e shqeu petkat, rruajti kryet e ra përdhe, u përkul 21e tha:
«Cullak dola nga barku i nënës,
cullak atje do të kthehem.
Zoti dha e Zoti mori.
Bekuar qoftë emri i Zotit!».
22Me gjithë çka i ndodhi, Jobi nuk mëkatoi e nuk ia vuri fajin Perëndisë.

Currently Selected:

Jobi 1: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy