YouVersion Logo
Search Icon

3 Makabenjve 7

7
Letra e mbretit
1«Mbreti Ptoleme Filopatori, kryeushtarakëve në Egjipt e të gjithë atyre që merren me punët e mbretërisë, të fala e shëndet! 2Unë e bijtë e mi gëzojmë shëndet të plotë, sepse Perëndia i madh i drejton punët tona ashtu siç e dëshirojmë.
3Disa prej miqve tanë na bindën me këmbënguljen e tyre të vazhdueshme keqdashëse, t'i mblidhnim të gjithë judenjtë e mbretërisë e t'i ndëshkonim mizorisht si kryengritës. 4Ngulnin këmbë se, për shkak të urrejtjes që kanë ata ndaj të gjitha kombeve, sundimi ynë nuk do të ishte i qëndrueshëm, derisa të merrnim këtë masë. 5Janë ata që i lidhën e i keqtrajtuan si skllevër, apo më mirë të themi, si tradhtarë. Pa asnjëfarë hetimi apo gjykimi, u përpoqën t'i shfarosnin me një egërsi më të madhe se ç'parashikon ligji i skitëve. 6Por ne i qortuam ashpër, sepse kemi dashamirësi ndaj të gjithë njerëzve, dhe për fije ua shpëtuam jetën judenjve. Kuptova se Perëndia qiellor i mbron judenjtë, siç i mbron ati bijtë, dhe lufton përherë krah tyre. 7Pasi solla ndërmend miqësinë e tyre të sinqertë ndaj nesh e ndaj paardhësve tanë, i liruam me të drejtë nga çdo padi 8dhe vendosëm që secili të kthehet në shtëpinë e vet, kudo qoftë, pa i prekur kush e pa i përqeshur kush për gjithçka ndodhi. 9Dijeni se po të bëjmë ndonjë të keqe kundër tyre, apo t'i shqetësojmë, nuk do të kemi kundërshtarë njerëzit, por Perëndinë e tejlartë, sunduesin e çdo pushteti, i cili ka për të marrë përherë hak për çdo të keqe. Mbetshi me shëndet!».
Kthimi në shtëpi
10Si morën letrën, judenjtë nuk u ngutën të niseshin menjëherë, por i kërkuan mbretit t'i lejonte të ndëshkonin, siç e meritonin, ata judenj, që, pa i detyruar kush, kishin mohuar Perëndinë e shenjtë dhe kishin shkelur ligjin e tij. 11Këmbëngulën se ata që kishin shkeluar urdhërimet hyjnore nuk do të ishin kurrë përkrahës të çështjeve të mbretit. 12Mbreti i besoi se po thoshin të vërtetën, prandaj, pasi u dha disa udhëzime, i la të lirë të shfarosnin ata që kishin shkelur ligjin e Perëndisë në mbarë mbretërinë e tij, pa asnjë mbikëqyrje mbretërore. 13Atëherë i thurën lavde mbretit, siç i kishte hije, dhe priftërinjtë e mbarë populli thanë: «Aleluja». Mandej u larguan të gëzuar.
14Kështu, ata filluan të ndëshkonin ashpërsisht dhe të vritnin çdo bashkëkombës të ndotur që hasnin udhës. 15Atë ditë vranë mbi treqind burra dhe kremtuan me gëzim, sepse kishin vrarë të ndoturit. 16Ata që i kishin qëndruar besnikë Perëndisë deri në fund, ngazëlluan për shpëtimin e tyre, u larguan nga qyteti me kurora lulesh me gjithfarë aromash dhe me brohori të hareshme. Falënderonin Perëndinë e etërve të tyre, shpëtimtarin e përjetshëm të Izraelit, me këngë e me përlëvdime.
17Kur mbërritën në Ptolemaidë, që quhej «Trëndafilishtë», për shkak të veçorive të vendit, 18kremtuan shpëtimin e tyre me gjithçka që u kishte dhënë mbreti për udhëtimin, derisa të mbërrinin në shtëpitë e tyre. 19Zbritën nga anijet me paqe e me përlëvdimet e caktuara dhe vendosën përsëri të kremtonin gjatë ditëve që qëndruan atje. 20Ato ditë i shenjtëruan e ngritën një shtyllë përkujtimore dhe një vend lutjeje në vendin e gostisë. Mandej u nisën shëndoshë e mirë e të lirë, secili për në shtëpinë e vet, përmes tokës, detit apo lumit, sepse kishin shpëtuar me urdhër të mbretit. 21Tani kishin më shumë pushtet se më parë mbi armiqtë, gëzonin lavdi e nderim dhe askush nuk ua prekte të mirat. 22Gjithçka që u kishin marrë gjatë shkrimit në amza, idhujtarët ua kthyen pas me frikë të madhe. Perëndia i madh bëri vepra madhështore deri në fund për shpëtimin e tyre.
23Bekuar qoftë në amshim ai që shpengoi Izraelin! Amen!

Currently Selected:

3 Makabenjve 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy