YouVersion Logo
Search Icon

Ezekieli 1

1
Hyrje
1Në vitin e tridhjetë në muajin e katërt në ditën e pestë të muajit, kur unë isha në mes të të shpërngulurve, buzë lumit Kebar, u hap qielli dhe pashë disa vegime hyjnore. 2Më pesë të atij muaji, në vitin e pestë të shpërnguljes së mbretit Jojakin, 3fjala e Zotit iu drejtua priftit Ezekiel, birit të Buzit, në tokën e kaldenjve, buzë lumit Kebar. Atje dora e Zotit ishte mbi të.
Vegimi i lavdisë së Zotit
4Pashë dhe, ja, një erë e stuhishme vinte nga veriu, një re e madhe, një zjarr me shkëlqim vezullues përreth, dhe në mes të zjarrit diçka me pamje shkëlqimplotë. 5Nga mesi i saj, shëmbëllimi i katër gjallesave. Kjo ishte pamja e tyre: kishin dukje njerëzore. 6Secili kishte katër fytyra e katër krahë. 7Këmbët i kishin të drejta, me shputat e këmbëve si shputat e këmbëve të viçit, vezulluese si bronzi i lëmuar. 8Nën krahë, në të katër anët, kishin duar njeriu. Të katërt kishin fytyrat dhe krahët e vet. 9Krahët u cekeshin me njëri-tjetrin. Kur ecnin, asnjëri nuk kthehej, por ecnin pa e kthyer shikimin. 10Shëmbëllimi i fytyrave të tyre ishte si fytyrë njeriu. Të katërt kishin në të djathtë nga një fytyrë luani e në të majtë nga një fytyrë demi. Të katërt kishin edhe nga një fytyrë shqiponje. 11Kaq për fytyrat. Krahët i kishin të hapur së larti. Secili kishte dy krahë që cekeshin dhe dy që mbulonin trupin. 12Secili ecte drejt para vetes. Shkonin ku i çonte shpirti. Ecnin dhe, kur ecnin, nuk ktheheshin. 13Shëmbëllenin me gjallesa. Pamjen e kishin si thëngjij zjarri të përflakur, si pamje pishtarësh. Mes gjallesave kishte ecejake. Zjarri ishte shkëlqimplotë e prej zjarrit dilte vetëtimë. 14Gjallesat dilnin e hynin si vetëtima.
15Po i shikoja gjallesat dhe, ja, përbri gjallesave, kishte nga një rrotë përtokë për të katra fytyrat e tyre. 16Pamja e rrotave dhe përbërja e tyre kishin një si vezullimë topazi. Të katra kishin të njëjtin shëmbëllim dhe kjo ishte pamja e tyre: si të ishte ngërthyer një rrotë brenda një rrote tjetër. 17Kur lëviznin, lëviznin në të katër drejtimet. Nuk ktheheshin kur lëviznin. 18Rrathët i kishin të mëdhenj e të frikshëm dhe rrathët e të katrave ishin plot me sy rreth e rrotull. 19Kur gjallesat lëviznin, edhe rrotat lëviznin bri tyre. Kur gjallesat ngriheshin nga toka, edhe rrotat ngriheshin. 20Ngado donte të shkonte shpirti, në atë drejtim lëviznin edhe ato. Rrotat ngriheshin pranë tyre, se shpirti i gjallesave ishte brenda rrotave. 21Kur ata lëviznin, edhe ato lëviznin. Kur ata ndalonin, edhe ato ndalonin. Kur ata ngriheshin, edhe ato ngriheshin, se shpirti i gjallesave ishte brenda rrotave.
22Sipër kokave të gjallesave shtrihej një kube që dukej si kristal shkëlqimplotë. 23Nën ndarje shtriheshin krahët e tyre të drejtë, drejt njëri-tjetrit, ndërsa dy krahët e tjerë u mbulonin trupin. 24Kur lëviznin, dëgjoja ushtimën e krahëve, e ngjashme me ushtimën e ujërave të rrëmbyeshëm, si zëri i të gjithëpushtetshmit, si gjëmimi i stuhisë, si gumëzhima e fushimit. Kur ndaleshin, i shkrehnin krahët. 25Pastaj u dëgjua një zë prej përtej kubesë që ishte mbi kokën e tyre. Kur ndaleshin, i shkrehnin krahët.
26Përmbi kubenë që ishte sipër kokave të tyre, shfaqej një si gur safiri, me shëmbëllimin e një froni dhe, mbi këtë shëmbëllim froni, prej së larti, një shëmbëllim me pamje njeriu. 27Pastaj pashë, prej pamjes nga brezi i tij e sipër, diçka si shkëlqimplotë, me pamjen si të një zjarri që e mbështillte përreth, ndërsa prej pamjes nga brezi i tij e poshtë, pashë një si pamje zjarri e shkëlqimi rreth tij. 28Si pamja e ylberit mbi re në një ditë shiu, ashtu ishte pamja e shkëlqimit përreth. Ajo ishte shfaqja e shëmbëllimit të lavdisë së Zotit. Pashë, rashë me fytyrë përdhe dhe dëgjova një zë që fliste.

Currently Selected:

Ezekieli 1: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy