YouVersion Logo
Search Icon

Estera (Gr) 1

1
Hyrje
1a Në vitin e dytë të mbretërimit të mbretit të madh Kserks, ditën e parë të muajit nisan, Mordakai, biri i Jairit, të birit të Shimeit, të birit të Kishit, nga fisi i Benjaminit, pa një ëndërr. 1b Ai ishte një jude, që banonte në qytetin Shushan, njeri i madh, që shërbente në oborrin e mbretit. 1c Ishte njëri nga të shpërngulurit, që Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, i kishte shpërngulur nga Jerusalemi me Jehoninë, mbretin e Judesë. Kjo qe ëndrra e tij: ja, zhurmë e trazirë, vetëtimë e tërmet, rrëmujë mbi dhe. 1d Dy dragonj të mëdhenj u bënë gati, u afruan të dy për përleshje dhe ulërinë me të madhe. 1dh Nga ulërima e tyre, të gjitha kombet u përgatitën për luftë, për të luftuar kundër kombit të drejtë. 1e Dhe, ja, ajo ishte ditë terri dhe errësire, mundi e ankthi, pikëllimi e rrëmuje të madhe mbi dhe. Tërë kombi i drejtë u trazua. Patën frikë se do të rrënoheshin, u përgatitën të shkatërroheshin dhe i thirrën Perëndisë. 1f Nga britma e tyre doli, si nga një burim i vogël, një lumë i madh me shumë ujë. 1g Atëherë doli drita dhe dielli. Të përulurit u lartësuan dhe përpinë të lavdishmit. 1gj Mordakai, pas ëndrrës, u zgjua dhe pa çfarë kishte vendosur të bënte Perëndia. U mendua dhe u përpoq ta kuptonte nga çdo anë, derisa u bë natë.
Përbetimi kundër mbretit
1h Mordakai po pushonte në treme me Gabatain dhe Tarain, dy eunukët e mbretit, që ruanin tremen. 1i Dëgjoi arsyetimet e tyre, hetoi synimet e tyre, mësoi se ata po përgatiteshin të vinin dorë në mbretin Kserks dhe e njoftoi mbretin për këtë. 1j Mbreti i mori në pyetje dy eunukët. Ata treguan dhe u dënuan me vdekje. 1k Mbreti i shkroi këto ngjarje në librin e kujtimeve, por edhe Mordakai shkroi për këto ngjarje. 1l Mbreti e caktoi Mordakain kujdestar të tremes dhe e shpërbleu me dhurata. 1ll Por aty ishte edhe Amani, biri i Hamadata Agitit, i cili ishte i rëndësishëm për mbretin. Ai u përpoq t'i bënte keq Mordakait dhe popullit të tij, për shkak të dy eunukëve të mbretit.
Gostia e mbretit
1Në kohën e Kserksit#1.1 he. Ahashverushit, të atij Kserksit që sundoi mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina nga India deri në Kush, 2në atë kohë, pra, kur Kserksi ishte mbret mbi fronin e mbretërisë së vet, që gjendej në kështjellën e Shushanit, 3në vitin e tretë të mbretërimit të tij, ai shtroi një gosti për të gjithë prijësit dhe nëpunësit e vet. Ishin të pranishëm edhe ushtarakët e Persisë e të Medës, bashkë me fisnikët dhe kryetarët e krahinave, 4kur ai shfaqi begatinë lavdiplote të mbretërisë së tij dhe nderin hijerëndë të madhështisë, që zgjati shumë kohë: njëqind e tetëdhjetë ditë. 5Pas këtyre ditëve, mbreti shtroi një gosti shtatëditore, në kopshtin e pallatit mbretëror, për mbarë popullin që gjendej në kështjellën e Shushanit, për të vegjël e për të mëdhenj. 6Pëlhura pambuku vjollcë, lidhur me gjalma liri e purpuri, vareshin në shtiza argjendi e shkopinj mermeri, ndërsa ndenjëset e arta e të argjendta ishin vendosur mbi shtrojën prej graniti, mermeri, margaritarësh e gurësh. 7Pija shërbehej në enë ari, të larmishme, dhe verë mbretërore kishte me shumicë, siç i ka hije mbretit. 8Sipas dokeve, për pijen nuk kishte asnjë detyrim, se mbreti i kishte urdhëruar të gjithë përgjegjësit e pallatit të vet të vepronin siç ua kishte ënda. 9Edhe mbretëresha Vashti shtroi një gosti për gratë, në pallatin mbretëror të mbretit Kserks.
10Ditën e shtatë, kur mbreti ishte ngazëlluar me verë, u tha Mehumanit, Biztait, Harbonait, Bigtait, Abagtait, Zetarit e Karkasit, shtatë eunukëve që i shërbenin mbretit Kserks, 11të sillnin para mbretit mbretëreshën Vashti me kurorë mbretërore, për t'i treguar popullit e prijësve bukurinë e saj, se ajo ishte e hijshme për t'u parë. 12Mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte, siç e kishte urdhëruar mbreti me anë të eunukëve. Atëherë mbreti u zemërua fort dhe zjeu nga mëria. 13Pastaj u tha të urtëve, që i njihnin doket, sepse çështjet e mbretit shtroheshin para tërë njohësve të ligjit e të dokeve, 14dhe ata që ai mbante më afër ishin Karshenai, Shetari, Admatai, Tarshishi, Meresi, Marsenai e Memukani, shtatë prijës të Persisë e të Medës, të cilët shiheshin me mbretin e zinin kryet e vendit në mbretëri: 15«Sipas ligjit, si duhet vepruar me mbretëreshën Vashti, pasi ajo nuk e zbatoi urdhrin që i dha mbreti Kserks me anë të eunukëve?». 16Atëherë Memukani tha para mbretit e prijësve: «Mbretëresha Vashti nuk gaboi vetëm kundrejt mbretit, por kundrejt gjithë prijësve e mbarë popujve që gjenden në krahinat e mbretit Kserks, 17sepse të gjitha gratë do ta marrin vesh këtë veprim të mbretëreshës, do t'i përçmojnë burrat e vet e do të thonë: mbreti Kserks urdhëroi të sillnin para tij mbretëreshën Vashti, por ajo nuk erdhi. 18Që nga sot fisniket e Persisë e të Medës, që dëgjuan çfarë bëri mbretëresha, do t'u tregojnë të gjithë prijësve të mbretit e do të ketë shumë përçmim e zemëratë. 19Nëse mbretit i duket e përshtatshme, le të nxjerrë një urdhër mbretëror ai vetë e le të shkruhet ndër ligjet e Persisë e të Medës, që të mbetet i pakthyeshëm, se Vashti nuk do të dalë më para mbretit Kserks, e vendin e saj mbretëror mbreti t'ia japë një tjetër gruaje më të mirë se ajo. 20Kur këtë vendim, që do të nxjerrë mbreti, ta marrë vesh mbarë mbretëria, sado që është e madhe, të gjitha gratë, nga më e rëndësishmja deri te më e parëndësishmja, do t'i nderojnë burrat e vet».
21Kjo gjë i pëlqeu mbretit e prijësve, prandaj mbreti veproi siç i tha Memukani. 22U dërgoi letra të gjitha krahinave të mbretërisë, secilës krahinë sipas shkrimit të vet e secilit popull në gjuhën e vet, me qëllim që secili burrë të sundonte në shtëpinë e vet e të fliste me gjuhën e popullit të vet.

Currently Selected:

Estera (Gr) 1: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy