YouVersion Logo
Search Icon

Judita 16

16
Kënga e Juditës
1Judita tha:
«Këndoni për Perëndinë tim me dajre,
këndoni për Zotin tim me cimbale.
thurni për të psalme e këngë,
lartojeni e thirreni emrin e tij,
2se Zoti është Perëndia që i shuan luftrat,
ai fushon mes popullit të vet,
ai më çliroi nga duart e përndjekësve.
3Asiria zbriti nga malet e veriut,
mbërriti me mijëra luftëtarë,
zunë vatë me hordhinë e tyre
e mbuluan malësinë me kalorësi.
4Tha se do të m'i digjte trojet,
se rininë do të ma therte me shpatë,
se do të m'i përplaste foshnjat përtokë,
se fëmijët do të m'i bënte pre
e si plaçkë do të m'i merrte vashat.
5Por Zoti i gjithëpushtetshëm i përzuri
me dorën e një femre.
6Nuk ra prej dorës së të rinjve i forti i tyre,
nuk e goditën bijtë e titanëve,
nuk e sulmuan gjigantët shtatlartë,
por Judita, bija e Merarit,
me pamjen e saj të bukur e vrau.
7Hoqi petkat e vejërisë
për ta lartuar Izraelin e shtypur.
E leu fytyrën me vaj erëmirë,
8e lidhi kokën me kordele,
u vesh me fustan liri për t'i ngashënjyer.
9Sandalet e saj ia tërhoqën shikimin,
bukuria ia këputi shpirtin,
shpata ia preu fytin.
10Persët i trembi guximi i saj,
trimëria e saj i tmerroi medët.
11Atëherë të poshëruarit e mi bërtitën,
të ligështuarit klithën e ata u trembën,
ngritën zërin e ata u zmbrapsën.
12Bijtë e skllaveve i shporuan,
si bijë ikanakësh i plagosën,
ranë nga aradha e Zotit tim.
13Do t'i këndoj Zotit një këngë të re:
o Zot, ti je i madh e i lavdishëm,
mrekullisht i fuqishëm e i pamposhtur.
14Të shërbeftë mbarë krijimi,
se ti fole e ato u bënë,
dërgove shpirtin tënd dhe u renditën,
askush s'i bën ballë zërit tënd.
15Malet e ujërat dridhen nga themelet,
shkëmbinjtë shkrihen si dylli para fytyrës sate,
por ata që të druajnë, i përdëllen.
16Vogëlsirë është çdo fli erëmirë,
çikërrimë çdo dhjamë i flisë së shkrumbimit,
por përherë i madh kush druan Zotin.
17Mjerë kombi që ngrihet kundër gjinisë sime!
Në ditën e gjykimit Zoti i gjithëpushtetshëm ua merr hakun,
ua godet trupin me zjarr e krimba
e do të qajnë nga dhimbja përgjithmonë».
18Kur mbërritën në Jerusalem, adhuruan Perëndinë. Sapo u pastrua populli, kushtuan fli shkrumbimi, fli vullnetare e dhurata. 19Edhe Judita kushtoi të gjitha pasuritë e Olofernit që ia kishte dhënë populli. Edhe shtrojën që kishte marrë për vete nga dhoma e shtratit ia kushtoi Perëndisë. 20Populli bëri festë për tre muaj në Jerusalem, para shenjtërores. Judita ndenji me ta.
21Pas këtyre ditëve, të gjithë u kthyen në shtëpi, nëpër pronat e trashëguara. Judita shkoi në Betuli dhe ndenji në pronat e veta. Ajo u nderua gjithmonë në mbarë vendin. 22Shumë vetë deshën të martoheshin me të, por ajo nuk shkoi me asnjë burrë për të gjitha ditët e jetës së saj qëkurse burri i saj, Manaseu, vdiq dhe u bashkua me popullin e vet. 23Ajo u bë gjithnjë e më e njohur dhe u plak në shtëpinë e të shoqit, derisa u bë njëqind e pesë vjeçe. Atëherë e la të lirë shërbëtoren e vet, vdiq në Betuli dhe e varrosën në gropën e burrit të vet, Manaseut. 24Shtëpia e Izraelit mbajti zi për shtatë ditë. Para se të vdiste ua shpërndau pasurinë të gjithë të afërmve të burrit të saj, Manaseut, dhe të afërmve të vet. 25Gjatë jetës së Juditës e për një kohë të gjatë pas vdekjes së saj askush nuk i trembi më izraelitët.

Currently Selected:

Judita 16: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy