YouVersion Logo
Search Icon

Estera (Gr) 2

2
Estera mbretëreshë
1Pas këtyre ngjarjeve, pasi mbretit Kserks i kishte kaluar zemërimi, i ra ndër mend për Vashtin, si kishte vepruar ajo e ç'vendim ishte marrë kundër saj. 2Atëherë shërbëtorët e mbretit, që kujdeseshin për të, thanë: «Të kërkohen për mbretin vasha me pamje të hijshme 3e të caktojë mbreti porositës në të gjitha krahinat e mbretërisë së vet, për t'i mbledhur të gjitha vashat me pamje të hijshme në kështjellën e Shushanit, në shtëpinë e grave, nën mbikëqyrjen e Hegait, eunukut të mbretit, që kujdeset për gratë, e ai do t'u japë të lahen. 4Ajo vajzë, që do t'i pëlqejë mbretit, do të mbretërojë në vend të Vashtit». Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe ashtu veproi.
5Në kështjellën e Shushanit ishte një jude me emrin Mordaka, që ishte biri i Jairit, të birit të Shimeit, të birit të Kishit, nga fisi i Benjaminit. 6Ai ishte larguar nga Jerusalemi me ata që ishin dëbuar me Jehoninë, mbretin e Judesë, nga Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. 7Kishte rritur Hadasanë, domethënë Esterën, bijën e të ungjit, që kishte mbetur pa të atin e pa të ëmën. Vajza kishte tipare të bukura dhe ishte e hijshme për t'u parë. Mordakai e kishte marrë për bijë, pasi asaj i kishin vdekur i ati dhe e ëma.
8Kur doli urdhri i mbretit dhe vendimi i tij e kur në kështjellën e Shushanit u mblodhën shumë vajza nën mbikëqyrjen e Hegait, sollën edhe Esterën në shtëpinë e mbretit, nën mbikëqyrjen e Hegait, kujdestarit të grave. 9Vajza i pëlqeu e iu duk e këndshme, prandaj shpejtoi t'i jepte për t'u larë e për të ngrënë. I dha edhe shtatë vajza të zgjedhura nga shtëpia e mbretit dhe e vendosi me vajzat në pjesën më të mirë të shtëpisë së grave. 10Estera nuk kishte treguar as për popullin, as për fisin e vet, se Mordakai e kishte urdhëruar të mos tregonte. 11Mordakai bënte ecejake çdo ditë kundruall tremes së shtëpisë së grave, për të marrë vesh si ishte Estera e çfarë do të bënin me të.
12Erdhi radha që secila vajzë të paraqitej te mbreti Kserks, pasi i kishte mbushur dymbëdhjetë muajt e rregullores për gratë, kohë gjatë së cilës duhej të laheshin për gjashtë muaj me mirrë e gjashtë muaj me vajra erëmirë e me zbukurues për gratë. 13Kur vajza shkonte te mbreti, i jepnin gjithçka kërkonte të merrte me vete nga shtëpia e grave te shtëpia e mbretit. 14Mbrëmjeve hynte brenda e në mëngjes kthehej në shtëpinë tjetër të grave, që ishte nën mbikëqyrjen e Shashgazit, eunukut të mbretit, kujdestar për shemrat. Ajo nuk kthehej më te mbreti, përveç në rast se i kishte pëlqyer mbretit e ai e thërriste me emër.
15Kur Esterës, së bijës së Abihajlës, të ungjit të Mordakait, që ky e kishte marrë si bijë, i erdhi radha të shkonte te mbreti, ajo nuk kërkoi asgjë përveç çfarë i tha Hegai, eunuku i mbretit, kujdestari i grave. Estera u pëlqente të gjithë atyre që e shikonin. 16Ajo u paraqit te mbreti Kserks, në shtëpinë mbretërore, në muajin e dhjetë, domethënë në muajin Tebet, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij, 17dhe mbreti e deshi Esterën mbi të gjitha gratë. Ajo fitoi pëlqimin e përkrahjen e tij më shumë se të gjitha vashat e tjera, prandaj ai i vuri mbi kokë kurorën mbretërore dhe e shpalli mbretëreshë në vend të Vashtit. 18Atëherë mbreti shtroi një gosti të madhe për të gjithë prijësit e shërbëtorët e tij, gostinë e Esterës, caktoi një festë për krahinat dhe shpërndau dhurata, siç i ka hije mbretit.
Mordakai shpëton mbretin
19Kur vashat u mblodhën sërish, Mordakai u gjend pranë portës së mbretit. 20Estera nuk kishte treguar cilit komb e popull i përkiste, siç e kishte urdhëruar Mordakai, se ajo e zbatonte urdhrin e Mordakait, siç kishte vepruar kur ishte rritur tek ai.
21Gjatë atyre ditëve, kur Mordakai rrinte te porta e mbretit, Bigtani e Tereshi, dy nga eunukët e mbretit, që ruanin pragun, u zemëruan dhe vendosën të vinin dorë mbi mbretin Kserks, 22por Mordakai e mori vesh këtë gjë e ia tregoi mbretëreshës Ester. Ajo ia tregoi mbretit, në emër të Mordakait. 23Mbreti e hetoi këtë çështje, që doli e vërtetë, e ata të dy u varën në pemë. Kjo gjë u shkrua në librin e Kronikave, në praninë e mbretit.

Currently Selected:

Estera (Gr) 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy