YouVersion Logo
Search Icon

3 Makabenjve 6

6
Lutja e Eleazarit
1Njëfarë Eleazari, burrë i shquar ndër priftërinjtë e vendit, i thyer në moshë dhe i stolisur me virtyte gjithë jetën, i bëri pleqtë të heshtnin dhe i drejtoi këtë lutje Perëndisë së shenjtë:
2«O mbret i gjithëpushtetshëm, o i lartë i plotfuqishëm, o Perëndi që qeveris gjithçka me dhembshuri, 3hidh sytë mbi pasardhësit e Abrahamit, mbi bijtë e shenjtëruar të Jakobit, mbi popullin e trashëgimisë sate të shenjtë, i huaj në dhe të huaj, i dënuar padrejtësisht për t'u shfarosur, o Atë. 4Ti shkatërrove faraonin, sundimtarin e dikurshëm të Egjiptit, me gjithë qerret e tij të shumta, të krekosur me kryeneçësi të paudhë dhe me fjalë të mëdha. E mbyte bashkë me ushtrinë e tij krenare dhe i shfaqe dritën e mëshirës sate kombit të Izraelit. 5Ti dërrmove ushtrinë e panumërt të Sankeribit, mbretit të ashpër të Asirisë, i cili kishte nënshtruar me heshta mbarë vendin dhe ishte drejtuar për nga qyteti yt i shenjtë, duke thënë fjalë guximtare me një mendjemadhësi të paparë, por ti, o Imzot, ti ua tregove kombeve të shumtë pushtetin tënd. 6Tre shokët, që në Babiloni ia kishin dorëzuar veten me dëshirë flakëve të zjarrit, për të mos adhuruar idhujt e kotë, ti i shpëtove pa iu prekur as qimja, duke freskuar furrën e zjarrtë, ndërsa të gjithë kundërshtarët i përvëlove në flakë. 7Ti e nxore në dritë të paprekur Danielin, që e kishin përgojuar nga zilia dhe e kishin hedhur në gropën e luanëve. 8Ti e hodhe vështrimin mbi Jonain, që po tretej në barkun e balenës në thellësi të detit, o Atë, dhe e nxore shëndoshë e mirë e ua dhe të afërmve.
9E tani, ti që e urren kryeneçësinë, ti, o mbrojtës i shumëmëshirshëm i të gjithëve, shfaqju sa më shpejt popullit të Izraelit, që po shtypet prej kombeve të paudha dhe të fëlligështa. 10Nëse jeta jonë është zhytur në paudhësi, për shkak të degdisjes në vend të huaj, shpëtona nga duart e armiqve dhe na shfaros ti, o Imzot, sipas dëshirës sate. 11Mos lejo që këta besimtarë kotësish të bekojnë idhujt e tyre të kotë për shfarosjen e të dashurve të tu e të thonë se as Perëndia i tyre nuk i shpëtoi dot. 12Por ti, o i amshuar, që ke tërë fuqinë dhe pushtetin, vështrona tani dhe ki mëshirë për ne që po shtypemi prej të paudhëve të pamend, se duan të na e marrin jetën si tradhtarë. 13Le të tmerrohen sot kombet nga pushteti yt i patundur, o i nderuar, që ke pushtetin për të shpëtuar Jakobin. 14Po të përgjërohet mbarë populli bashkë me foshnjat dhe me prindërit e tyre. 15Tregoju mbarë kombeve se je me ne, o Zot, dhe se nuk e kthen fytyrën larg nesh, por se, siç ke thënë, nuk do të na harrosh edhe kur të jemi në tokën e armiqve tanë. Bëje këtë, o Zot!».
Perëndia dërgon shpëtimin
16Eleazari e mbaroi lutjen, kur ia behu në hipodrom mbreti bashkë me bishat dhe me ushtrinë që turfullonte. 17Kur i panë, judenjtë lëshuan një klithmë të madhe drejt qiellit, saqë edhe luginat atypari ushtuan dhe i bënë ushtarët të dridhen. 18Atëherë Perëndia i vërtetë, i gjithëfuqishëm dhe i madhërishëm shfaqi fytyrën e tij të shenjtë, hapi portat qiellore, prej nga dolën me lavdi dy engjëj të frikshëm dhe zbritën poshtë. I panë të gjithë, përveç judenjve. 19Engjëjt iu kundërvunë ushtrisë kundërshtare, ku shkaktuan trazirë dhe frikë, sepse ua lidhën këmbët dhe ata nuk lëviznin dot. 20Edhe mbreti ngriu nga frika dhe e harroi guximin e tij të frikshëm. 21Bishat u kthyen kundër ushtarëve të armatosur që i shoqëronin, i shkelën me këmbë e i shfarosën.
22Zemërimi i mbretit u kthye në mjerim e lot për gjithçka kishte thurur. 23Kur dëgjoi klithmat dhe i pa të gjithë të shtrirë përtokë, gati për të vdekur, u përlot dhe, i zemëruar, kërcënoi miqtë e tij me këto fjalë: 24«Qeverisni keq dhe ua keni kaluar në mizori edhe tiranëve. Edhe mua, që jam bamirësi juaj, jeni përpjekur të më rrëmbeni pushtetin dhe të më merrni shpirtin, duke shestuar dredhi kundër mbretërisë. 25Kush i nxori nga shtëpitë dhe i mblodhi një e nga një këtu ata që me besnikëri kanë mbrojtur fortesat e vendit? 26Kush i mundoi në mënyrë të paligjshme ata që janë kujdesur për të mirën tonë që nga fillimi më shumë se të gjitha kombet dhe janë gjendur shpesh përballë rreziqeve më të mëdha njerëzore? 27Zgjidhini dhe hiqini vargojtë e padrejtë! Dërgojini në paqe nëpër shtëpitë e tyre, pasi t'u keni kërkuar falje për çfarë u keni bërë më parë. 28Lirojini bijtë e Perëndisë së gjithëpushtetshëm, qiellor e të gjallë, atij që, pareshtur e me lavdi e ka bërë të qëndrueshëm sundimin tonë që prej kohës së paraardhësve tanë».
29Këto tha mbreti dhe judenjtë u liruan pa vonesë. Atëherë filluan të bekonin Perëndinë e shenjtë, shpëtimtarin, sepse sapo i kishin shpëtuar vdekjes.
Kremtimet
30Mandej mbreti u kthye në qytet, thirri thesarmbajtësin dhe i dha urdhër t'u jepte judenjve verë dhe ushqime për shtatë ditë, që të festonin. Mendoi se ata do të kremtonin me gëzim shpëtimin e tyre në të njëjtin vend ku për pak vdiqën. 31Atëherë, ata që pak më parë poshtëroheshin dhe ishin në grykë të skëterrës, madje kishin filluar të binin në të, në vend të një fundi të hidhur dhe të vajtueshëm, po kremtonin shpëtimin në vendin e përgatitur për t'i shfarosur e për t'i varrosur. Atje u shtruan gjithandej për të dëfryer. 32U dhanë fund këngëve të përvajshme dhe filluan të këndonin këngët e etërve, që përlëvdonin Perëndinë, shpëtimtarin dhe mrekullibërësin. Vajtimet dhe kobet i lanë mënjanë dhe ia nisën valleve të hareshme, që ishte shenjë e jetës paqësore.
33Edhe mbreti shtroi një gosti të madhe për ta dhe falënderonte qiellin pareshtur për shpëtimin e tij të jashtëzakonshëm. 34Ata që më parë i shihnin judenjtë si të marrë fund dhe si ushqim për korbat dhe që i kishin shkruar në amza me gëzim, filluan të ankoheshin, të mbuluar me turp, ndërsa guximi i tyre i zjarrtë ishte shuar pa lavdi. 35Judenjtë, siç thamë, ia nisën valles së hareshme dhe kaluan gëzueshëm me falënderime dhe me psalme. 36Për më tepër, të gjithë bashkë vendosën që të gjithë ata që do të qëndronin në atë vend, t'i kremtonin ato ditë brez pas brezi, jo për të ngrënë e për të pirë, por për të kujtuar shpëtimin që u dhuroi Perëndia. 37Mandej iu lutën mbretit t'i lejonte të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
38Shkrimi i judenjve në amza kishte zgjatur dyzet ditë, nga njëzet e pesë e muajit Pahon deri më katër të muajit Epif, ndërsa shfarosja e tyre ishte caktuar nga pesë deri në shtatë të Epifit, pra, tri ditë, 39në të cilat Sunduesi i të gjithave kishte shfaqur me madhështi mëshirën e tij dhe i kishte shpëtuar të gjithë pa i prekur kush. 40Kremtuan me shpenzimet e mbretit deri në ditën e katërmbëdhjetë, kur dhe i kërkuan mbretit t'i lejonte të iknin. 41Mbreti e pranoi kërkesën e tyre dhe shkroi për ta një letër nënshkruar prej tij, drejtuar kryeushtarakëve të çdo qyteti, në të cilën shprehej dashamirësia e tij.

Currently Selected:

3 Makabenjve 6: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy