Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Themele të FortaShembull

Themele të Forta

DITA 4 NGA 4

Nëse do të të pyesja: “Kush është Fryma e Shenjtë?” si do të përgjigjeshe?

Shumë njerëz, madje edhe të krishterë, hezitojnë ose ndihen të pasigurt. Ne e kemi më të qartë kush është Ati dhe kush është Biri, por shpesh mbetemi të dobët në kuptimin e Frymës së Shenjtë. Megjithatë, besimi ynë nuk është i plotë pa Të.

Kredoja e Apostujve

Unë besoj në Perëndinë, Atin e Gjithpushtetshëm,

Krijuesin e qiellit dhe të tokës.

Unë besoj në Jezu Krishtin, Birin e Tij të vetëm,

Zotin tonë, i Cili u ngjiz nga Fryma e Shenjtë,

lindi nga virgjëresha Mari,

vuajti nën Ponc Pilatin,

u kryqëzua, vdiq dhe u varros.

Ai zbriti në anët e poshtme të dheut,

të tretën ditë u ngrit nga vdekja.

Ai u ngjit në qiell,

është i ulur në anën e djathtë të Perëndisë,

Atit të Gjithpushtetshëm.

Prej andej do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.

Unë besoj në Frymën e Shenjtë,

kishën e shenjtë universale,

në bashkësinë e shenjtorëve,

në faljen e mëkateve,

në ringjalljen e trupit

dhe në jetën e përjetshme.

Amen.

Kredoja e Apostujve përfundon me një deklaratë të fuqishme: “Unë besoj në Frymën e Shenjtë.”

Por kush është Fryma e Shenjtë? Ai nuk është thjesht fuqi apo energji. Ai është Personi i tretë i Trinisë: Perëndia Atë, Perëndia Bir, Perëndia Frymë e Shenjtë. Tre Persona, një Perëndi. Dhe si Person, Fryma e Shenjtë dëshiron të ketë marrëdhënie me ty, të të drejtojë, të të forcojë dhe të banojë brenda teje.

Një Perëndi që banon mes njerëzve të Tij

Nga Zanafilla deri te Zbulesa, një gjë është e qartë: Perëndia gjithmonë ka dashur të banojë mes njerëzve të Tij. Në kopshtin e Edenit Ai ecte bashkë me Adamin dhe Evën. Më vonë, prania e Tij u shfaq në Tabernakull dhe Tempull, vendi ku qielli dhe toka takoheshin. Pastaj erdhi Jezusi, Fjala që u bë mish dhe banoi ndër ne (Gjoni 1:14).

Dhe tani, pas ringjalljes së Krishtit, prania e Perëndisë nuk gjendet më në një ndërtesë të veçantë, por në zemrën e çdo besimtari. Apostulli Pal e thotë qartë:

“A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” (1 e Korintasve 3:16 ALBB).

Kjo është një e vërtetë e fuqishme: ti je tempulli i Perëndisë. Kudo që shkon, Fryma e Shenjtë është me ty dhe në ty. Edhe kur ndihesh i dobët, i papërsosur, sikur jeta jote është një kasolle e thyer dhe jo një tempull i shenjtë — Fryma e Shenjtë gjithsesi banon aty. Ai nuk pret që ti të jesh i përsosur para se të hyjë, por është Ai që të ndryshon e të pastron nga brenda.

Roli i Frymës së Shenjtë

Jezusi e përshkroi Frymën e Shenjtë si Ngushëllues, Avokat dhe Ndihmës (Gjoni 14:16). Fjala greke “Parakletos” nënkupton dikë që vjen pranë për të ndihmuar. Kjo është ajo që Ai bën sot në jetën tënde. Bibla na tregon disa nga rolet e Frymës së Shenjtë:

* Ngushëllues dhe Këshillues – të sjell paqe në mes të stuhive.

* Fuqizues – “Do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju…”(Veprat 1:8ALBB).

* Mësues dhe Udhëzues – të kujton fjalët e Jezusit dhe të udhëheq sipas së vërtetës (Gjoni 14:26).

* Ndërmjetësues – lutet për ty me psherëtima të patregueshme (Romakëve 8:26).

* Ai që bind dhe shenjtëron – të tregon ku duhet të ndryshosh dhe të bën më shumë si Krishti.

Fryma e Shenjtë është gjithmonë në lëvizje, duke punuar në zemrën tënde dhe duke të formuar sipas imazhit të Jezusit.

Si ta dëgjosh Frymën e Shenjtë

Shpesh e kemi të vështirë të dallojmë zërin e Tij për shkak të zhurmës që na rrethon. Por Fryma flet shpesh me një zë të butë. Duhet të ndalosh, të krijosh hapësirë dhe kohë për ta dëgjuar. Lexo Fjalën, medito mbi të, lutu dhe qëndro në qetësi. Ashtu si me një mik, marrëdhënia rritet duke kaluar kohë së bashku.

Mos e injoro Frymën që banon brenda teje. Fol me Të. Pyete. Kërkoji drejtim. Në çdo ditë dhe çdo situatë, Ai është aty për të të udhëhequr.

Ti je tempulli i Frymës së Shenjtë

Kjo është një nga të vërtetat më transformuese të besimit të krishterë: Perëndia nuk është vetëm me ty, por brenda teje. Ti je vendi ku qielli dhe toka takohen. Kjo do të thotë se çdo ditë ti je në mision — të bësh atë që do të bënte Jezusi nëse do të ishte në vendin tënd. Dhe këtë mund ta bësh vetëm përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Prandaj, ftoje çdo ditë Frymën e Shenjtë të të udhëheqë, të të fuqizojë dhe të të mësojë. Kjo është mënyra se si jetojmë një jetë që ka ndikim, një jetë që reflekton Jezusin.

Lutje: “Frymë e Shenjtë, faleminderit që banon brenda meje. Ndihmomë të të dëgjoj çdo ditë, të eci në udhëheqjen Tënde dhe të jetoj si tempulli Yt. Fuqizo zemrën time që të jem gjithnjë më shumë si Jezusi.

Amen.”

Rreth këtij plani

Themele të Forta

Mbi çfarë janë ndërtuar themelet e jetës tënde? Ky plan 4-ditor të fton të eksplorosh besimin përmes Kredos së Apostujve, duke zbuluar kush është Perëndia Atë, çfarë ka bërë Jezusi për ty dhe si Fryma e Shenjtë banon në zemrën tënde çdo ditë. Nise sot këtë udhëtim të ngrohtë që do të të ndihmojë të ndërtosh besimin mbi themele të forta.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al

Plane të ngjashme