Themele të FortaShembull

A të ka ndodhur ndonjëherë që jeta të të tronditë aq shumë, sa të pyesësh veten: “Ku është Perëndia tani? A mund t’i besoj Atij me të vërtetë?”
Shumë prej nesh kemi kaluar momente kur sfidat, dhimbjet dhe pasiguritë na kanë bërë të ndalemi dhe të pyesim: “A e besoj me të vërtetë atë që them se besoj?”
Këto janë pyetje të rëndësishme, sepse ajo që ne besojmë për Perëndinë formon gjithçka tjetër në jetën tonë. Besimi ynë ndikon në mënyrën si e shohim veten, në marrëdhëniet me të tjerët, në zgjedhjet që bëjmë, në mënyrën si përballemi me frikën, dhe madje edhe në shpresën tonë për përjetësinë.
Pikërisht për këtë arsye po fillojmë këtë plan “Themele të Forta”, e cila bazohet te Kredoja e Apostujve — një shpallje besimi që ka frymëzuar dhe udhëhequr besimtarët e krishterë për më shumë se 1,500 vjet. Për shekuj me radhë, ajo është shpallur në kisha, është kënduar në burgje dhe është pëshpëritur si lutje nga ata që po jepnin jetën për Krishtin.
Kredoja e Apostujve
Unë besoj në Perëndinë, Atin e Gjithpushtetshëm,
Krijuesin e qiellit dhe të tokës.
Unë besoj në Jezu Krishtin, Birin e Tij të vetëm,
Zotin tonë, i Cili u ngjiz nga Fryma e Shenjtë,
lindi nga virgjëresha Mari,
vuajti nën Ponc Pilatin,
u kryqëzua, vdiq dhe u varros.
Ai zbriti në anët e poshtme të dheut,
të tretën ditë u ngrit nga vdekja.
Ai u ngjit në qiell,
është i ulur në anën e djathtë të Perëndisë,
Atit të Gjithpushtetshëm.
Prej andej do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.
Unë besoj në Frymën e Shenjtë,
kishën e shenjtë universale,
në bashkësinë e shenjtorëve,
në faljen e mëkateve,
në ringjalljen e trupit
dhe në jetën e përjetshme.
Amen.
Kredoja fillon me këto fjalë të fuqishme:
“Unë besoj në Perëndinë, Atin e Gjithpushtetshëm, Krijuesin e qiellit dhe të tokës.”
Kjo deklaratë është më shumë sesa një fjali. Është një shpallje personale, një themel për jetën tënde. Nuk thotë “Ne besojmë”, por “Unë besoj”. Sepse besimi nuk është një çështje kolektive, por personale. Nuk është për atë që mendon familja jote, miqtë e tu apo kisha jote. Është për ty.
Perëndia është Atë i dashur
Kur themi “Atë”, ne po shpallim se Perëndia është i afërt. Ai nuk është një fuqi e largët, as një energji e paidentifikuar. Ai është një Atë i dashur që kujdeset për ty personalisht.
Bibla na e kujton këtë:
- “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.” (Hebrenjve 13:5 ALBB)
- “Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.” (Psalmet 103:13 ALBB)
- “Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer.” (Psalmet 34:18 ALBB)
Edhe nëse përvoja jote me babain tokësor ka qenë e vështirë, Ati qiellor nuk është i ashpër, nuk është i ftohtë dhe nuk të braktis. Ai është pranë teje, Ai të sheh, të do dhe gjen kënaqësi tek ti.
Perëndia është i Gjithpushtetshëm
Fjala “Gjithpushtetshëm” vjen nga latinishtja omnipotent — që do të thotë “Ai që ka gjithë fuqinë”.
Kjo është thelbësore, sepse do të thotë që Perëndia jo vetëm që të do, por gjithashtu ka fuqinë të të mbajë, të të mbrojë dhe të të udhëheqë.
Një baba tokësor mund të jetë i dashur, por i kufizuar. Perëndia ynë nuk ka kufizime. Ai që krijoi galaksitë është i njëjti që e di saktë numrin e flokëve të kokës sate (Luka 12:7). Ai sundon gjithësinë, por njeh emrin tënd. Ai krijoi yjet, por di çfarë të shqetëson sot.
Kur lutemi, ne nuk po flasim thjesht me një figurë të largët hyjnore. Ne po afrohemi te Ati i Gjithpushtetshëm që dëgjon çdo fjalë, di çdo nevojë dhe ka fuqinë të ndërhyjë. Kjo është arsyeja pse Jezusi na mësoi të themi:
“Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.” (Mateu 6:9 ALBB)
Besimi që formon jetën
Kredoja e Apostujve shpall gjithashtu se Perëndia është Krijuesi i qiellit dhe tokës. Ti nuk je një aksident. Jeta jote nuk është rastësi. Perëndia të krijoi me qëllim dhe tha: “Është e mirë” (Zanafilla 1:31). Ai jo vetëm që krijoi gjithçka, por edhe e mban gjithçka në duart e Tij.
Besimi yt në këtë të vërtetë ndryshon gjithçka: si e sheh veten, si e sheh botën dhe si e sheh të ardhmen. Kur zemra të rëndohet nga frika ose kur jeta të duket jashtë kontrollit, mund të mbështetesh tek Ai që ka pushtetin mbi gjithçka.
Pyetja është: A e beson ti këtë?
A beson që Perëndia është Ati yt?
A beson që Ai është i Gjithpushtetshëm?
A beson që Ai të do dhe ka një plan për ty?
Lutje: “Ati im i dashur dhe i Gjithpushtetshëm, të falënderoj që je pranë meje dhe që kujdesesh për çdo detaj të jetës sime. Më ndihmo të të besoj me gjithë zemër, të të besoj kur nuk shoh rrugëdalje dhe të qëndroj i mbështetur tek dashuria jote e përsosur. Forco besimin tim dhe më ndihmo të ndërtoj jetën time mbi Ty.
Amen.”
Rreth këtij plani

Mbi çfarë janë ndërtuar themelet e jetës tënde? Ky plan 4-ditor të fton të eksplorosh besimin përmes Kredos së Apostujve, duke zbuluar kush është Perëndia Atë, çfarë ka bërë Jezusi për ty dhe si Fryma e Shenjtë banon në zemrën tënde çdo ditë. Nise sot këtë udhëtim të ngrohtë që do të të ndihmojë të ndërtosh besimin mbi themele të forta.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al
