Themele të FortaShembull

Kredoja e Apostujve
Unë besoj në Perëndinë, Atin e Gjithpushtetshëm,
Krijuesin e qiellit dhe të tokës.
Unë besoj në Jezu Krishtin, Birin e Tij të vetëm,
Zotin tonë, i Cili u ngjiz nga Fryma e Shenjtë,
lindi nga virgjëresha Mari,
vuajti nën Ponc Pilatin,
u kryqëzua, vdiq dhe u varros.
Ai zbriti në anët e poshtme të dheut,
të tretën ditë u ngrit nga vdekja.
Ai u ngjit në qiell,
është i ulur në anën e djathtë të Perëndisë,
Atit të Gjithpushtetshëm.
Prej andej do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.
Unë besoj në Frymën e Shenjtë,
kishën e shenjtë universale,
në bashkësinë e shenjtorëve,
në faljen e mëkateve,
në ringjalljen e trupit
dhe në jetën e përjetshme.
Amen.
Kjo është zemra e besimit tonë: vdekja, varrosja dhe ringjallja e Jezusit.
Pse duhej të vdiste Jezusi?
Ky është një nga pyetjet më të rëndësishme që duhet të bëjmë. Pse duhej të vuante dhe të vdiste Biri i Perëndisë? Bibla na jep përgjigjen:
Perëndia është i shenjtë, dhe shenjtëria e Tij nuk mund të bashkëjetojë me mëkatin. Ne jemi të ndarë nga Ai për shkak të mëkateve tona. Shkrimi thotë:
“Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.” (Romakëve 3:23 ALBB)
Nuk ka asnjë njeri pa mëkat. Mund të përpiqemi të jemi të mirë, të bëjmë vepra të mira, por asgjë nga këto nuk mund të na shpëtojë. Ne kishim nevojë për një Shpëtimtar.
Në Dhjatën e Vjetër, Perëndia kishte vendosur një sistem të përkohshëm për faljen e mëkateve. Qengjat e përsosur flijoheshin çdo vit për të paguar borxhin e mëkatit, por kjo ishte vetëm një zgjidhje e përkohshme. Kur Jezusi erdhi, Ai u bë Qengji i Perëndisë — flijimi i përhershëm dhe i përsosur. Gjaku i Tij u derdh njëherë e përgjithmonë që të na pajtojë me Perëndinë.
Kryqi – simboli i dashurisë së pafundme
Sot kryqi shpesh shihet si një simbol i bukur, por në kohën e Krishtit, kryqëzimi ishte forma më e tmerrshme e dënimit që ekzistonte. Ishte torturë fizike dhe emocionale. Jezusi u gozhdua, u tall, u pështy dhe u përçmua. Ai vuajti çdo dhimbje që mund të përfytyrohet. Dhe pse? Për mua dhe për ty.
Profeti Isaia e kishte shpallur këtë shumë kohë më parë:
“Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe me vurratat e tij ne u shëruam.” (Isaia 53:5 ALBB)
Kryqi nuk është thjesht histori. Është dëshmia më e madhe e dashurisë së Perëndisë për ne. Jezusi e mori mbi vete mëkatin, turpin dhe dënimin tonë, që ne të kishim jetë të re.
Fitorja mbi vdekjen
Por historia nuk mbaron në kryq. Kredoja thotë:
"Të tretën ditë u ngrit nga vdekja."
Kjo është arsyeja pse ungjilli është lajm i mirë. Jezusi nuk qëndroi në varr. Ai e mundi vdekjen. Ai zbriti në thellësi, shpalli fitoren dhe doli triumfues. Varri është bosh!
Ringjallja e Jezusit është prova që:
* Mëkati është falur.
* Vdekja është mposhtur.
* Djalli është i mundur.
* Ne kemi shpresë për jetë të përjetshme.
Kur Jezusi tha: "Unë jam i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit." (Zbulesa 1:18 ALBB), Ai shpalli një realitet të ri për ne: jeta ka fituar mbi vdekjen.
Jezusi, Mbret dhe Ndërmjetës
Kredoja vazhdon:
"Ai u ngjit në qiell, është i ulur në anën e djathtë të Perëndisë."
Ky detaj është i rëndësishëm. Në Dhjatën e Vjetër, priftërinjtë që shërbenin për faljen e mëkateve asnjëherë nuk uleshin. Puna e tyre nuk mbaronte kurrë, sepse mëkatet e njerëzve nuk pushonin. Por Jezusi, Kryeprifti ynë, u ul në të djathtën e Atit. Pse? Sepse puna e Tij u krye. Ai tha: “U krye” në kryq — dhe vepra e shpëtimit u përfundua përgjithmonë.
Tani Jezusi sundon si Mbret, ndërmjetëson për ne dhe po përgatit një vend për ata që besojnë në Të. Dhe një ditë, Ai do të kthehet për të mbledhur të vetët.
Ndoshta sot ndihesh i lodhur, i lënduar, i zhgënjyer ose pa shpresë. Kujto këtë:
* Jezusi vuajti, që ti të mos vuash vetëm.
* Jezusi vdiq, që ti të jetosh.
* Jezusi u ringjall, që ti të kesh shpresë.
Çfarëdo që po kalon, kujto se varri është bosh. Jezusi jeton — dhe me Të, edhe ti mund të jetosh.
Lutje: “Zot, të falënderoj për dashurinë Tënde të pafundme dhe për sakrificën e Jezusit në kryq. Më ndihmo ta kuptoj thellësisht fuqinë e ringjalljes së Tij dhe ta jetoj çdo ditë me këtë shpresë. Mbush zemrën time me besim, forcë dhe gëzim ndërsa të ndjek Ty.
Amen.”
Rreth këtij plani

Mbi çfarë janë ndërtuar themelet e jetës tënde? Ky plan 4-ditor të fton të eksplorosh besimin përmes Kredos së Apostujve, duke zbuluar kush është Perëndia Atë, çfarë ka bërë Jezusi për ty dhe si Fryma e Shenjtë banon në zemrën tënde çdo ditë. Nise sot këtë udhëtim të ngrohtë që do të të ndihmojë të ndërtosh besimin mbi themele të forta.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al
