Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Informacion rreth planit

Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëmShembull

Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëm

DITA 6 NGA 25

Pasioni i Perëndisë për Veten, në Krishtlindje


Një prej skenave më të famshme të Krishtlindjes në Bibël është lajmi që engjëlli u tha barinjve: se Shpëtimtari kishte lindur. Pastaj thuhet: “Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: ‘Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi dhe’, pëlqim ndër njerëzit!’” (Luka 2:13,14).


Lavdi Perëndisë, paqe për njerëzit! Engjëjt janë dërguar të bëjnë shumë të qartë diçka: Biri i Perëndisë ka ardhur në krijimin e Tij për të shpalosur lavdinë e Perëndisë dhe për të pajtuar njerëzit nga armiqësia me Perëndinë, që të jenë në paqe me Të. Ai erdhi që ta bënte Perëndinë madhështor në shpëtim dhe për t’i ngazëlluar njerëzit në Të.


Prandaj, kur vijmë te Gjoni 12, nuk është e habitshme ta dëgjojmë Jezusin të lutet që kjo gjë të ndodhë në pikën më të rëndësishme të jetës së Tij tokësore, domethënë në vdekjen dhe ringjalljen e Tij. Ai u lut që Perëndia të përlëvdohet në shpëtimin e mëkatarëve. Shih Gjoni 12:27-30:


“Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë erdha në këtë orë. [Ne e dimë që Ai po flet për orën e vdekjes së Tij, për shkak se në vargun 24 ai ka thënë: ‘Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe’ nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!’] O Atë, përlëvdo emrin tënd!” Atëherë një zë erdhi prej qiellit: ‘E kam përlëvduar dhe përsëri do ta përlëvdoj!’ Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshin: ‘Një engjëll i ka folur!’ Jezusi u përgjigj dhe tha: ‘Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.’”

Në vargun 27, Jezusi thotë: “Por për këtë erdha në këtë orë.” Për çfarë qëllimi? Përgjigjja: vargu 28, “O Atë, përlëvdo emrin tënd!” Kjo është arsyeja pse po më afrohet vdekja.


Ati e dëgjoi lutjen e Jezusit dhe iu përgjigj: “E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!” Ai sapo e kishte përlëvduar emrin e Tij, përmes Jezusit në ringjalljen e Lazarit (Gjoni 11:4, 40) dhe tani do ta përlëvdojë në vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit. 


Mos harroni theksimin që i bëhet përkushtimit të Perëndisë për të përlëvduar emrin e Tij. Jo vetëm që Jezusi lutej që Perëndia të përlëvdonte Veten: “O Atë, përlëvdo emrin tënd!” (v. 28), por dhe Vetë Perëndia thotë: “E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!” Te Luka 2 na thuhet se Perëndia dërgoi engjëjt për ta shpallur këtë gjë. Vetë Perëndia thotë te Gjoni 12:28: “E kam përlëvduar [emrin Tim] dhe do ta përlëvdoj akoma!”


Arsyeja më e thellë pse jetojmë për lavdinë e Perëndisë, është për shkak se Perëndia vepron për lavdinë e Tij. Ne kemi pasion për lavdinë e Perëndisë, për shkak se Perëndia është pasionant për lavdinë e Tij.


Ajo që e bën këtë një lajm kaq të mirë, në mënyrë të veçantë në Ungjillin sipas Gjonit është se lavdia e Perëndisë është plot hir dhe të vërtetë. “Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14).


Gjëja më e lavdishme rreth Perëndisë është se Ai është aq plotësisht, tërësisht i vetëmjaftueshëm, saqë lavdia e plotësisë së qenies së Tij, shpaloset bollshëm në të vërtetë dhe hir ndaj krijesave të Tij. 


Perëndia nuk ka nevojë për ne. Prandaj në plotësinë e Tij, Ai është jashtëzakonisht bujar ndaj nesh. I tillë është hiri që marrim në Krishtlindje.

Shkrimet e Shenjta

Dita 5Dita 7

Rreth këtij plani

Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëm

Gëzimi që Jezusi po sillte në botë ishte si asnjë gëzim tjetër në histori. Sapo ta kemi marrë këtë gëzim, asgjë nuk mundet ta shkatërrojë...Veçoni kohë dhe qetësi për veten tuaj këtë stinë Krishtlindjeje dhe kërkoni për ...

More

Ne dëshirojmë të falënderojmë IGNIS Ministry Albania për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/tematika/agimi-i-gezimit/

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë