Solid Joys ShqipShembull

Ne nuk mund të bëjmë asgjë
“Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.” (Gjoni 15:5)
Supozo sikur të ishe krejtësisht i paralizuar dhe nuk mund të bëje dot asgjë për veten, veçse të flisje. Dhe supozo sikur një mik i fortë dhe i besueshëm të premton se do të jetojë me ty dhe do të bëjë gjithçka që ke nevojë. Si do të mund ta lavdëroje këtë mik, nëse një i panjohur do të vinte dhe të të shikonte?
A do ta përlëvdoje bujarinë dhe forcën e tij duke u përpjekur të ngrihesh nga shtrati dha ta mbash në krahët e tu? Jo! Në fakt, do t’i thoje: “Mik, të lutem eja dhe më ngri. A mund të më vendosësh një jastëk pas shpine që të kem mundësi të shoh mikun, që më ka ardhur? Të lutem, a mund të m’i vendosësh syzet?”
Kështu vizitori yt do të mësonte nga kërkesat e tua se je i pafuqishëm dhe që miku yt është i fortë dhe i mirë. Ti e lavdëron mikun tënd duke pasur nevojë për të, duke kërkuar ndihmë prej tij dhe duke u mbështetur tek ai.
Te Gjoni 15:5, Jezusi thotë: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë.” Ne jemi me të vërtetë të paralizuar. Pa Krishtin nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë që e lartëson Atë. Sikurse thotë edhe Pali te Romakëve 7:18: “Në mua, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë.”
Por Gjoni 15:5 thotë gjithashtu që Perëndia ka për qëllim që ne të bëjmë gjëra shumë të mira që lartësojnë Krishtin, domethënë, të japim shumë fryt: “Kush qëndron në mua dhe unë në të, ai jep shumë fryt.” Prandaj, si miku ynë i fortë dhe i besueshëm–“Unë ju kam quajtur miq” (Gjoni 15:15)–Ai premton të bëjë për ne atë që ne nuk mund ta bëjmë dot për veten tonë.
Prandaj, si e përlëvdojmë Atë? Jezusi na e jep përgjigjen te Gjoni 15:7: “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Ne lutemi! Ne i kërkojmë Perëndisë të bëjë për ne atë që ne s’mund ta bëjmë dot për veten tonë–pra, të japim fryt.
Gjoni 15:8 jep rezultatin: “Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt.”
Pra, si përlëvdohet Perëndia përmes lutjes? Lutja është pranimi i hapur se pa Krishtin nuk mund të bëjmë dot asgjë. Lutja është largimi nga vetja për të shkuar drejt Perëndisë me bindjen që Ai do të sigurojë ndihmën që na nevojitet.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione