Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 257 NGA 366


7 Arsye për të mos u shqetësuar (pjesa e 3-të)

“Mos u shqetësoni, pra, duke thënë: ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’ Sepse paganët i kërkojnë të gjitha këto; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për këto të gjitha. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto do t’ju shtohen. Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për vete. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.” (Mateu 6:31-34)

Dy ditët e fundit kemi parë se Mateu 6:25-34 përmban të paktën shtatë premtime nga Jezusi për të na ndihmuar të luftojmë luftën e mirë kundër mosbesimit dhe të çlirohemi nga shqetësimi. Sot do të shohim tri premtimet e fundit.

Premtimi #5: “Mos u shqetësoni, pra, duke thënë: ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’ Sepse paganët i kërkojnë të gjitha këto; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për këto të gjitha.” (Mateu 6:31-32)

Mos mendo se Perëndia nuk i di nevojat e tua. Ai i di të gjitha. Ai është gjithashtu “Ati yt qiellor”. Ai nuk të sheh me shpërfillje nga larg. Ai kujdeset. Ai do të veprojë për t’i përmbushur nevojat e tua në kohën më të mirë.

Premtimi #6: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto do t’ju shtohen.” (Mateu 6:33)

Nëse i kushtohesh kauzës së Tij në botë, në vend që të shqetësohesh për nevojat e tua materiale, Ai do të sigurohet që ke gjithçka që të nevojitet për të bërë vullnetin e Tij dhe për t’i dhënë Atij lavdi. Ja si e kuptoj frazën: “dhe të gjitha këto do t’ju shtohen.” Gjithë ushqimi, pija dhe veshja–dhe gjithçka tjetër–që do të të nevojitet për të bërë vullnetin e Tij dhe për ta përlëvduar Atë, do të të jepet. Kjo mund të nënkuptojë që qëllimi i Tij për ty është të vdesësh për Të, por Ai do të sigurojë gjithçka që ke nevojë për ta bërë këtë për lavdinë e Tij.

Ky premtim i ngjan atij te Romakëve 8:32: “Qysh nuk do të na dhurojë [Perëndia] të gjitha gjërat bashkë me të [Krishtin]?” Dhe kjo pasohet nga: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: ‘Për shkakun tënd po vritemi gjithë ditën; u llogaritëm si dele për therje.’ Por në të gjitha këto jemi më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi” (Romakëve 8:35-37). Zia e bukës dhe të zhveshurit mund të vijnë, por ne do të kemi gjithçka që na nevojitet për të qenë më shumë se fitimtarë.

Premtimi #7: “Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për vete. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.” (Mateu 6:34)

Perëndia do të kujdeset që të mos sprovohesh më tepër nga sa mund ta përballosh (1 e Korintasve 10:13). Ai do të punojë për ty, që “forca jote” të vazhdojë “sa janë ditët e tua” (Ligji i Përtërirë 33:25).

Çdo ditë ka shqetësimin e saj. Por jo më tepër shqetësim nga sa mund të përballosh me hirin e Tij. Çdo ditë do të ketë mëshira të reja çdo mëngjes–mëshira që i mjaftojnë shqetësimeve të asaj dite (Vajtimet 3:22-23). Ai nuk do të presë prej teje ndonjë vepër të mirë, për të cilën nuk të siguron hirin që të nevojitet (2 e Korintasve 9:8).

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​