Solid Joys ShqipShembull

Të durosh kur bindja të lëndon
Duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin. (Hebrenjve 12:2)
Ajo që besimi arrin ndonjëherë është aq e vështirë sa s’mund të shprehet me fjalë.
Në librin e tij, Miracle on the River Kwai, Ernest Gordon tregon historinë e një grupi robërish lufte që punonin në Hekurudhën e Burmës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fund të çdo dite, grupi mblidhte veglat e punës. Në një rast, roja japoneze thirri që mungonte një lopatë dhe kërkoi me forcë të dinte se cili prej burrave e kishte marrë. Ai filloi të ulërinte dhe të këlthiste, derisa arriti në një shpërthim paranoje dhe urdhëroi që fajtori të dilte përpara. Askush nuk lëvizi. “Të gjithë do të vdisni! Të gjithë do të vdisni!”, çirrej ai teksa u drejtonte armën të burgosurve. Në atë çast, një burrë doli përpara dhe roja e rrahu me qytën e armës së tij derisa vdiq, ndërsa ai qëndronte pa lëvizur. Kur u kthyen në kamp, i numëruan sërish veglat dhe nuk mungonte asnjë.
Çfarë mund të të japë vullnetin për të vdekur për të tjerët, kur vetë je i pafajshëm? Jezusi u mbajt dhe u mbështet në dashurinë e Tij për ne nga “gëzimi që ishte para tij”. Ai u mbështet në një të ardhme të lavdishme bekimi dhe gëzimi, dhe kjo e mbajti dhe e mbështeti në dashuri përmes vuajtjes së Tij.
Mjerë ne nëse mendojmë se duhet ose që mund të motivohemi dhe të forcohemi për një bindje radikale dhe të kushtueshme nga ndonjë motiv më i lartë sesa gëzimi që gjendet para nesh. Kur Jezusi bëri thirrje për një bindje të kushtueshme, e cila do të kërkojë sakrificë në këtë jetë, Ai tha te Luka 14:14: “Dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve.” Me fjalë të tjera, forcohu tani në të gjitha humbjet e tua për hir të Krishtit, për shkak të gëzimit që është para teje.
Pjetri tha se kur Jezusi vuajti pa u hakmarrë, po na linte një shembull për të ndjekur—dhe kjo përfshin sigurinë e Jezusit në gëzimin që ishte para Tij. Ai ia dorëzoi çështjen e Tij Perëndisë (1 e Pjetrit 2:21) dhe nuk u hakmor vetë. Jezusi e mbështeti shpresën e Tij te ringjallja, te gjithë gëzimet e ribashkimit me Atin e Tij dhe te shpengimi i popullit të Tij. Kështu duhet të bëjmë edhe ne.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione