Solid Joys ShqipShembull

Mund të jem i kënaqur në çdo situatë
Sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam. Unë di edhe të jem i përulur dhe di edhe të jetoj në bollëk; në çdo gjë dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të jem ngushtë. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më fuqizon. (Filipianëve 4:11-13)
Sigurimi i përditshëm i hirit të ardhshëm nga Perëndia e aftëson Palin të nginjet ose të ketë uri, të jetojë në bollëk ose të jetë i përulur, të ketë me tepri ose të jetë në ngushticë.
“Unë mund të bëj gjithçka”, do të thotë me të vërtetë “gjithçka”, jo vetëm gjërat e lehta. “Gjithçka” do të thotë: “Përmes Krishtit mund të kem uri, të vuaj dhe të jem në nevojë.” Kjo e vendos premtimin marramendës të Filipianëve 4:19 në dritën e duhur: “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Kristin Jezus.”
Çfarë kuptimi ka fraza “të gjitha nevojat tuaja” nën dritën e Filipianëve 4:11-12? Do të thotë “gjithçka që ke nevojë për kënaqësinë që përlëvdon Perëndinë.” Kjo mund të përfshijë edhe kohë urie dhe nevoje. Dashuria e Palit për filipianët buronte nga kënaqësia e tij në Perëndinë dhe kënaqësia e tij buronte nga besimi i tij në hirin e ardhshëm të furnizimit të sigurt të Perëndisë për të qenë gjithë sa ai kishte nevojë në kohët e bollëkut dhe të ngushticës.
Prandaj është e qartë se lakmia është krejt e kundërta e besimit. Është humbja e kënaqësisë në Krishtin që na bën të fillojmë të lakmojmë gjëra të tjera për t’i përmbushur dëshirat e zemrave tona të cilat mund t’i kënaqë vetëm prania e vetë Perëndisë. Nuk ka pikë dyshimi që beteja kundër lakmisë është një betejë kundër mosbesimit në premtimin e Perëndisë për të qenë gjithë sa kemi nevojë në çdo rrethanë.
Kjo është shumë e qartë te Hebrenjve 13:5. Shiko se si autori e argumenton lirinë tonë nga dashuria për paranë—lirinë nga lakmia—lirinë e kënaqësisë në Perëndinë: “Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: ‘Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.’” Besimi në këtë premtim—“Nuk do të të lë kurrë”—e thyen fyqinë e të gjitha dëshirave që e çnderojnë Perëndinë—e thyen fuqinë e çdo lakmie.
Kurdoherë që ndiejmë edhe prirjen më të vogël të lakmisë në zemrat tona, duhet të merremi me të dhe ta luftojmë me gjithë fuqinë tonë duke përdorur armët e këtij besimi.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione