Solid Joys ShqipShembull

Kënaqësia që mund mëkatin
Dhe Jezusi u tha atyre: “Unë jam buka e jetës, ai që vjen tek unë nuk do të ketë uri dhe ai që beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.” (Gjoni 6:35)
Ajo që kemi nevojë të shohim këtu është që esenca e besimit është të qenët të kënaqur me gjithë sa Perëndia është për ne në Krishtin.
Përkufizimi i besimit në këtë mënyrë thekson dy gjëra. Njëra është fakti që besimi është i përqendruar në Perëndinë. Nuk janë thjesht premtimet e Perëndisë ato që na kënaqin, por gjithë sa vetë Perëndia është për ne në Jezusin. Besimi e përqafon Perëndinë në Krishtin si thesarin tonë—jo thjesht dhuratat e premtuara të Perëndisë.
Besimi e mbështet shpresën e vet jo vetëm në pasuritë e epokës që do të vijnë, por mbi faktin se Perëndia do të jetë atje (Zbulesa 21:3). “Dhe dëgjova një zë të madh prej qiellit që thoshte: ‘Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta, edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre.’”
Edhe tani, ajo të cilën besimi e përqafon më fort, nuk është thjesht realiteti i faljes së mëkateve (pavarësisht sa e çmuar është kjo), por prania e Krishtit të gjallë në zemrat tona dhe plotësia e vetë Perëndisë. Tek Efesianëve 3:17-19, Pali lutet: “që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit... që të mbusheni në gjithë plotësinë e Perëndisë.”
Gjëja tjetër që theksohet në përkufizimin e besimit si të qenët të kënaqur me gjithë sa Perëndia është për ne në Jezusin është termi “kënaqësi”. Besimi është shuarja e etjes së shpirtit në burimin e Perëndisë. Te Gjoni 6:35, ne shohim se “të besosh” do të thotë “të vish” te Jezusi për të ngrënë “bukën e jetës” dhe për të pirë “ujin e jetës” (Gjoni 4:10, 14), të cilat nuk janë gjë tjetër veçse Jezusi vetë.
Ky është sekreti i fuqisë së besimit për ta thyer forcën skllavëruese të tërheqjeve mëkatare. Nëse zemra është e kënaqur me gjithë sa Perëndia është për ne në Jezusin, atëherë thyhet fuqia e mëkatit për të na joshur larg nga urtësia e Krishtit.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione