Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 114 NGA 366

Kërko të mirën e qytetit tënd

"Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, tërë të internuarve që unë kam çuar në robëri nga Jerusalemi në Babiloni. Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frutat e tyre... Kërkoni të mirën e qytetit ku ju kam çuar në robëri dhe lutjuni Zotit për të, sepse mirëqenia juaj varet nga mirëqenia e tij.” (Jeremia 29:4-7)

Nëse kjo ishte e vërtetë për të mërguarit e Perëndisë në Babiloni, duket se është edhe më e vërtetë për të mërguarit e krishterë në këtë botë shumë “babilonase”. Atëherë, çfarë të bëjmë?

Ne duhet të bëjmë gjërat e zakonshme që duhen bërë: të ndërtojmë shtëpi dhe të jetojmë në to, të mbjellim kopshte. Nuk të ndot kjo, nëse e bën të gjithën për Mbretin e vërtetë, dhe jo thjesht për sytë e njerëzve, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve.

Kërko mirëqenien e vendit ku Perëndia të ka dërguar. Mendo se je dërguar atje nga Perëndia për lavdinë e Tij, sepse kështu është vërtet.

Lutju Zotit për llogari të qytetit tënd. Kërko që gjëra të mëdha dhe të mira të ndodhin për qytetin. Kërko që të ndodhin përmes fuqisë së Perëndisë dhe për lavdinë e Tij. Kurrë mos lejo që të të shpëtojë e mira përfundimtare për të cilën qyteti ka nevojë më tepër sesa për begatinë materiale. Të krishterët shqetësohen për çdo lloj vuajtjeje, por veçanërisht për vuajtjen e përjetshme. Ky është rreziku më i madh me të cilin përballet çdo qytet.

Është e qartë që as Perëndia dhe as banorët e Tij nuk janë indiferentë ndaj shëndetit, sigurisë, begatisë dhe lirisë së qytetit tënd. Ne të gjithë i duam këto gjëra dhe Jezusi thotë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). Në fakt, Zoti i thotë Jeremias që dashuria për qytetin është një mënyrë për ta dashur veten: “Sepse mirëqenia juaj varet nga mirëqenia e tij.”

Kjo nuk do të thotë që të heqim dorë nga orientimi ynë prej mërgimtari. Pjetri thotë që të krishterët janë “të huaj dhe shtegtarë” (1 e Pjetrit 2:11) dhe Pali thotë se “qytetaria jonë është në qiej” (Filipianëve 3:20). Në fakt, ne do të bëjmë më të mirën për këtë botë duke mbajtur një liri të qëndrueshme nga joshjet e saj mashtruese. Ne do t’i shërbejmë më mirë qytetit tonë duke i marrë vlerat nga “qyteti që do të vijë” (Hebrenjve 13:14). Ne do t’i bëjmë më shumë të mira qytetit tonë, duke thirrur sa më shumë që të mundemi nga qytetarët e Tij që të bëhen qytetarë të “Jerusalemit lart” (Galatasve 4:26).

Prandaj, le të jetojmë—le të bëjmë sa më shumë të mira (1 e Pjetrit 2:12)—që vendasit të kenë dëshirë të takojnë Mbretin tonë.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​