Siraku 7
7
Këshilla
1Mos bëj të ligën
e nuk do të të zërë e liga.
2Qëndroji larg padrejtësisë
e ajo do të largohet prej teje.
3Bir, mos mbill në hullitë e padrejtësisë,
që të mos korrësh shtatëfish.
4Mos kërko rang nga Zoti,
as fron lavdie nga mbreti.
5Mos u shfajëso para Zotit,
para mbretit mos u hiq i urtë.
6Mos kërko të bëhesh gjykatës,
nëse s'e heq dot padrejtësinë,
se mos të ndikon i pushtetshmi
dhe ti zihesh peng në drejtësinë tënde.
7Mos mëkato ndaj gjithë qytetit,
mos u turpëro para turmave.
8Mos bëj dy herë të njëjtin mëkat,
mjafton një herë për të qenë fajtor.
9Mos thuaj: «Perëndia i tejlartë do t'i pëlqejë dhuratat e mia
e do ta pranojë kushtimin tim».
10Mos u lodh së luturi,
mos harro të japësh lëmoshë.
11Mos e përqesh njeriun e hidhëruar,
se ka kush përul e larton.
12Mos rrëmo për shpifje kundër vëllait tënd,
as mikut mos ia bëj këtë.
13Mos u josh nga asnjë lloj gënjeshtre,
ky huq nuk të sjell të mirë.
14Mos e tepro me fjalë në kuvendin e pleqve,
kur të lutesh, mos i përsërit fjalët.
15Mos e urre punën e lodhshme,
as bujqësinë, se i ka krijuar i Tejlarti.
16Mos u rreshto në kuvendin e mëkatarëve,
kujtohu se zemërimi nuk vonon.
17Përulu sa më shumë,
se të pafetë dënohen me zjarr e me krimba.
18Mos e shit mikun për para,
as vëllanë e vërtetë për arin e Ofirit.
19Gruan e urtë e të mirë mos e humb,
hiret e saj vlejnë më shumë se ari.
20Mos e mundo shërbëtorin që punon me ndershmëri,
as mëditësin që punon me gjithë shpirt.
21Shërbëtorin e mençur duaje me shpirt
e lirinë mos ia moho.
22Në paç bagëti, kujdesu për to,
nëse janë të dobishme, mbaji.
23Në paç djem, mësoji,
bëji të dëgjueshëm që në vogëli.
24Në paç vajza, kujdesu për qashtërinë e tyre
e mos u trego i butë me to.
25Kur marton vajzën, bën punë të madhe,
por martoje me burrë të mençur.
26Në paç grua siç ta do shpirti, mos e ndaj,
mos i zër besë gruas që urren.
27Nderoje tët atë me gjithë zemër,
mos e harro dhimbjen amnore.
28Kujtohu se ata të lindën,
si mund t'ua kthesh çfarë të kanë dhënë?
29Adhuroje Zotin me gjithë shpirt,
nderoji priftërinjtë e tij.
30Duaje krijuesin tënd me gjithë fuqinë tënde,
mos i braktis shërbestarët e tij.
31Druaje Zotin e nderoje priftin,
jepi pjesën që i takon, sipas urdhërimit:
prodhimet e para, flinë e paqtimit, shpatullën e flisë,
flinë e shenjtërimit dhe frytet e para të të shenjtave.
32Të varfrit shtriji dorën,
që të bekohesh plotësisht.
33Tregohu i mirë me gjithë të gjallët,
as të vdekurve mos ua kurse mirësinë.
34Mos i harro ata që vajtojnë
dhe mbaj zi me ata që janë në zi.
35Mos ngurro të kujdesesh për njeriun e sëmurë
e për të gjitha këto do të të duan.
36Në çdo veprim, kujto fundin
e nuk do të mëkatosh kurrë.
Aktualisht i përzgjedhur:
Siraku 7: AL1
Thekso
Ndaje
Kopjo
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020